SHBA sanksionon Khamenei – Irani: Mbyllet “dera” e diplomacisë. Shtëpia e Bardhë, e “vonuar”
Irani deklaroi se sanksionet e reja amerikane kundër liderit suprem dhe ministrit të jashtëm kanë mbyllur derën e diplomacisë përgjithmonë dhe Shtetet e Bashkuara kanë braktisur të vetmen rrugë të paqes 2 ditë pasi u rrezikua përballja ushtarake. Presidenti i SHBA, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të vendosur sanksione kundër liderit suprem Ali Khamenei dhe sanksione të tjera priten më vonë gjatë javës kundër ministrit të Jashtëm, Mohammad Javad Zarif. Kjo lëvizje vjen pasi Irani qëlloi dronin amerikan javën e kaluar dhe Trump tërhoqi sulmin ajror pak minuta përpara se të godiste, që do të ishte edhe hera e parë që SHBA bombardon Iranin në dekada.
Trump tha se e tërhoqi sulmin në minutën e fundit për shkak se shumë njerëz do vdisnin. “Sanksionet kundër liderit suprem të Iranit dhe komandantit të diplomacisë së vendit sjellin mbylljen e diplomacisë përgjithmonë”, shkroi në Twitter zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme. Abbas Mousavi. Presidenti Hassan Rouhani ka thënë se sanksionet kundër Khamenei nuk do të kenë ndonjë ndikim, për shkak se ai nuk ka aktive jashtë vendit. Rouhani, që fitoi zgjedhjet me premtimin për të hapur Iranin ndaj botës, i përshkroi lëvizjet e SHBA si të dëshpëruara dhe e quajti Shtëpinë e Bardhë “të vonuar mendërisht”, një ofendim që zyrtarët iranianë e kanë përdorur në të shkuarën për Trump. Rouhani dhe kabineti i tij drejtojnë çështjet e përditshme të Iranit, ndërsa Khamenei, në fuqi që prej vitit 1989, është autoriteti më i lartë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.