SHBA “sulmon” Kinën – Bëmë gabim që në 2001 e mbështetëm për anëtarësimin në OBT
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur gabimisht anëtarësimin e Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001, pasi dështuan të detyronin Pekinin që të hapte ekonominë, deklaroi administrata Trump së fundmi, në një kohë që përgatitet për t`i shpallur luftë Kinës në terma tregtarë.
“Është e qartë se, Shtetet e Bashkuara gabuan në mbështetjen e tyre ndaj anëtarësimit të Kinës në OBT” – shkruan administrata Tump në raportin vjetor ndaj kongresit mbi përmbushjen e angazhimeve në OBT të Kinës.
“Tashmë është e qartë se, rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë nuk janë të mjaftueshme për të detyruar një ndryshim të sjelljes së Kinës”-thuhet më tej në raport.
Ky është rasti i parë i këtij niveli, ku retorika kundër Kinës tashmë kthehet në dokument zyrtar. Pasojat e këtij veprimi mund të jenë të rënda, pasi do të përshkallëzohen edhe më tej tensionet mes dy vendeve sa i përket tregtisë. Bëhet fjalë për dy ekonomitë më të mëdha të botës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.