SHBA vendosin sanksione ndaj zyrtarëve të Koresë së Veriut pas testimit të raketës së dytë!
Administrata Biden të mërkurën vendosi sanksione ndaj pesë zyrtarëve të Koresë së Veriut në përgjigjen e saj të parë ndaj testit të fundit të raketës balistike të Phenianit dhe më vonë njoftoi se do të kërkojë gjithashtu sanksione të reja nga OKB.
Departamenti i Thesarit tha se po vendoste gjoba ndaj pesë zyrtarëve për rolet e tyre në marrjen e pajisjeve dhe teknologjisë për programet e raketave të Veriut. Përveç kësaj, Departamenti i Shtetit urdhëroi sanksione kundër një tjetër koreano-verior, një rus dhe një kompanie ruse për mbështetjen e tyre më të gjerë të aktiviteteve të armëve të shkatërrimit në masë të Koresë së Veriut.
Lëvizjet e Thesarit erdhën vetëm disa orë pasi Koreja e Veriut tha se udhëheqësi Kim Jong Un mbikëqyri një test të suksesshëm fluturimi të një rakete hipersonike të martën që ai pretendoi se do të rriste shumë “parandalimin e luftës” bërthamore të vendit.
Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, postoi të mërkurën mbrëma në Twitter se pas përcaktimeve nga Thesari dhe Shteti, SHBA po propozon gjithashtu sanksione të OKB-së në përgjigje të gjashtë lëshimeve të raketave balistike të Koresë së Veriut që nga shtatori, “secila prej të cilave ishte në kundërshtim me Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Një diplomat amerikan tha se SHBA po vazhdon të koordinojë me partnerët e saj të këshillit për sanksionet e reja të propozuara.
Sanksionet ngrijnë çdo pasuri që objektivat kanë në juridiksionet e SHBA-së, i ndalojnë amerikanët të bëjnë biznes me ta dhe i nënshtrojnë kompanitë dhe individët e huaj ndaj ndëshkimeve të mundshme për transaksionet me ta.
Kina dhe Rusia janë të dyja anëtarë me veto të Këshillit të Sigurimit dhe nëse do të mbështesin sanksionet e reja ndaj Koresë së Veriut mbetet për t’u parë.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.