SHBA zgjat kufizimet në udhëtime/ Masat prekin kufijtë tokësorë me Kanadanë dhe Meksikën deri më 21 shtator
Shtetet e Bashkuara vendosën të zgjasin mbylljen e kufijve tokësorë me Kanadanë dhe Meksikën për udhëtime jo thelbësore siç është turizmi, deri më 21 shtator, pavarësisht vendimit të Kanadasë për të hapur kufirin e saj për amerikanët e vaksinuar. Zgjatja e fundit 30-ditore nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) erdhi pasi Kanadaja tha në korrik se do të fillonte lejimin e vizitorëve amerikanë të vaksinuar plotësisht duke nisur nga 9 gushti, për udhëtime jo thelbësore.
“Në koordinim me ekspertët e shëndetit publik dhe mjekësor, DHS vazhdon të punojë ngushtë me partnerët e saj në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe ndërkombëtarisht për të përcaktuar se si të rifillojnë në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme udhëtimet normale” tha DHS.
Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të zgjerojnë kufizimet e jashtëzakonshme me Kanadanë dhe Meksikën çdo muaj që nga marsi i vitit 2020, kur ato u vendosën për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Kufizimet e fundit shtrijnë ndalimet përtej përfundimit të sezonit të turizmit veror në SHBA. Zyrtarët e linjave ajrore thonë se do të kalojnë të paktën javë dhe muaj para se të hiqen kufizimet e udhëtimit në SHBA, duke përmendur rritjen e numrit të rasteve të COVID-19.
Kufizimet në kufirin tokësor të SHBA nuk i ndalojnë qytetarët amerikanë të kthehen në Shtetet e Bashkuara. Krahas kufizimeve në kufirin tokësor të Kanadasë dhe Meksikës, Shtetet e Bashkuara ndalojnë shumicën e qytetarëve jo-amerikanë që brenda 14 ditëve të fundit kanë qenë në Mbretërinë e Bashkuar, 26 vendet Shengen në Europë pa kontrolle kufitare, Irlanda, Kina, India, Afrika e Jugut, Irani dhe Brazili.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi më 5 gusht se mund të kërkojë që vizitorët nga jashtë të vaksinohen si pjesë e planeve të saj për të rihapur përfundimisht udhëtimet ndërkombëtare, por ajo ende nuk kishte vendosur dhe nuk do të hiqte menjëherë kufizimet.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.