Shëndeti i biznesit – Rritet shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese
Normat e shfrytëzimit të kapaciteteve nga biznesi shënuan rritje në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, bizneset e sektorit të industrisë kanë shfrytëzuar kapacitetet mesatarisht në masën 75%, ose 6.8 pikë përqindje më shumë se sa në tremujorin e mëparshëm. Shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor mbetet lehtësisht më e lartë në raport me mesataren historike 72.4%.
Në tremujorin e parë 2017, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e ndërtimit vlerësohet mesatarisht rreth 61.6%, ose 3.4 pikë përqindje më e lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, kjo normë mbetet rreth 2.6 pikë përqindje nën mesataren historike të sektorit.
Në tregti, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndron në 71.2%, në rritje me 1.4 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm, por duke vijuar të jetë 6.3 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj. Sektori i shërbimeve për momentin është dega më e shëndetshme e ekonomisë dhe kjo mund të vërehet edhe nga norma e shfrytëzimit të kapaciteteve, që vlerësohet në mesatarisht 79.8%.
Kjo vlerë është 2 pikë përqindje më e lartë se norma e shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe 3.4 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.