Shëndeti i sektorit bankar – Raporti i “Seenews”, radhiten arritjet dhe sfidat
Në raportin e 100 bankave më të mëdha të Europës juglindore, SeeNews, veçse rendit ato më të mëdhatë duke bërë edhe krahasimin me një vit më parë, vlerëson edhe ecurinë e sektorit bankar në secilin prej vendeve të rajonit.
Në profilin dedikuar vendit tonë, në raport thuhet se, në 2018-ën sektori ka operuar në kushtet e një politike monetare më lehtësuese, me normën bazë të interesit pranë minimumit historik, që u transmetua edhe te normat e interesit për depozitat, kreditë dhe titujt qeveritarë. Sa i përket hapit të rritjes së aseteve, raporti vlerëson se ky hap është ngadalësuar gjatë 2018-ës, duke rënë në 0.5%, nga 2.7% që ishte më parë.
Referuar shëndetit bankar ndërkohë, thuhet se institucionet huadhënësve vazhduan të karakterizohen nga një normë e lartë likuiditeti dhe mjaftueshmërie të kapitalit, ndërkohë që edhe bilancet e bankave kanë vijuar përmirësimin. Në profilin dedikuar Shqipërisë nënvizohen edhe sfidat për vitin aktual.
“Në 2019, sektori bankar në vend përballet me sfida si: norma ende e lartë e kredive jo-performuese, që mund të dëmtojë rritjen e fitimeve dhe atë të aseteve, si dhe ngadalësimi i ekonomisë së eurozonës në tërësi por kryesisht pozicioni financiar i Italisë aktualisht”-thuhet mes rreshtave.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.