“Shëndeti të integrohet në politikëbërje” / OBSH: Vendet që nuk investojnë, të kenë zhvlerësim të kreditit
Shtetet që nëninvestojnë në shëndetin publik duhet të kenë zhvlerësime të kreditit, sipas një paneli të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që bën thirrje për krijimin e një organi botëror për të trajtuar rreziqet e stabilitetit financiar nga dështimet në kujdesin shëndetësor. Kjo thirrje vjen përpara samitit botëror mbi shëndetësinë më 21 Maj në Romë, kur liderët e G20 do diskutojnë mbi trajtimin e koronavirusit dhe parandalimin e krizave shëndetësore në të ardhmen. “Një pandemi si kjo përbën një kërcënim të madh jo vetëm tek stabiliteti financiar por edhe tek e gjithë ekonomia dhe sistemi financiar”- tha Mario Monti, kryetari i panelit të OBSH, dhe ish kryeministri i Italisë. Më shumë se 10 trilionë dollarë kanë humbur në të gjithë botën prej pandemisë, sipas vlerësimeve të një raporti të Komisionit Pan-Europian mbi Shëndetin dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, që është krijuar në Shtatorin e kaluar nga shefi i OBSH në Europë, Hans Kluge. Shumë vende pasura kanë shkurtuar shpenzimet në kujdesin shëndetësor pas krizës botërore financiare të vitit 2008. Monti tha se ky organ i ri do të parandalojë këtë trend, duke inkurajuar shpenzime të mjaftueshme në politika shëndetësore. Për të bindur shtetet që të shpenzojnë më shumë, kërcënimet shëndetësore mund të përkthehen në rreziqe financiare, në një proces të ngjashëm që përdoret me politikat e klimës, sipas Monti. Vendet që nëninvestojnë do përballen me rrezikun e uljes së vlerësimit të kreditit.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.