Shëngjergji pret ‘Domate Fest’ – Veliaj: Konsumoni produktet vendase!
Shëngjergji priti festën tradicionale të domates, ‘Domate Fest’, një aktiviteti i zhvilluar në kuadër të projektit ‘100 Fshatrat’. Evenimenti u zhvillua në formën e një panairi me produkte të zonës, ku banorët si edhe restorantet e bujtinat e zonës prezantuan pjatat e tyre me ushqimet tradicionale.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe krybashkiaku, Erion Veliaj, i cili vizitoi edhe disa nga stendat e panairit. Duke e cilësuar Shëngjergjin ‘bahçen’, e Tiranës, Veliaj tha se fshatrat e zonës do të njohin një sërë investimesh.
“Ideja e 100 fshatrave, ku ne insistuam që Shëngjergji të ishte kurora e këtij projekti për Tiranën, është falë këtij investimi të qeverisë shqiptare. Do të na shikoni shumë gjatë këtij viti, ku do të nisim me disa punime nëpër fshatrat e zonës, nëpër shtigjet ku kalojnë turistët, tek ujëvarat, tek kalatë e vjetra, dhe në shumë nga vendet atraktive të të gjithë krahinës”, u shpreh ai.
Ndërkohë, iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të konsumojnë produkte vendase që rriten në zonën e Tiranës, pasi sipas tij kjo është një mënyrë sesi ekonomia e Tiranës mund të jetojë, ndërsa shprehu dëshirën për ta organizuar këtë festë çdo vit.
Ndërkohë, Shëngjergjit iu shtua një tjetër bujtinë e cila do t’u shërbejë të gjithë turistëve që vizitojnë atë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.