Shërbimet financiare pas Brexit – Franca refuzon planin e Britanisë për bankat që të ruajnë aksesin në BE
Franca ka mbajtur qasjen e ashpër ndaj negociatave për Brexit, duke paralajmëruar se ka pak mundësi që të arrihet një marrëveshje për shërbimet financiare, që do të ofrojnë aksesin e kërkuar nga Britania për industrinë më të madhe taksapaguese në vend. Ministri i Ekonomisë në Francë, Bruno le Maire, tha se firmat financiare mund të mbështeten në atë që njihet si regjimi i “ekuivalencës”.
Ky mekanizëm ligjor i lejon vendet jashtë Bashkimit Europian që të kenë akses në tregun e përbashkët në rrethana të limituara, por aksesi është i fragmentizuar dhe mund të revokohet shpejtë.
Bankat në Britani mund të tregtojnë aktualisht në tregun e përbashkët nën të drejtën për të bërë biznes në Zonën Ekonomike Europiane (passaporting), por kjo pritet të përfundojë pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2019. “Shërbimet financiare nuk mund të përfshihen në një marrëveshje të tregtisë së lirë.
Duhet të mbështetemi në regjimin e ekuivalencës”, tha le Maire, duke theksuar nevojën e stabilitetit dhe mbikëqyrjes në këtë sektor.
Përplasja e Britanisë me Bashkimin Europian mbi aksesin në tregun e përbashkët për industrinë e shërbimeve financiare pritet të kthehet në një nga betejat kryesore të Brexit përpara se vendi të dalë në Mars të 2019-ës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.