Shërbimet për automjetet – Koha reduktohet në 20 minuta
Me një vlerë investimi prej 12 milion lekësh, Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Tiranë, ka përfunduar rikonstruksionin e sallës së regjistrimit të mjeteve, duke përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve. Drejtori i Përgjithshëm, Arben Isaraj tha se falë këtij investimi është reduktuar ndjeshëm koha e marrjes së shërbimeve, e cila tashmë shkon në 20 minuta nga disa ditë që kërkonte më herët. Drejtoria e Tiranës përballon rreth 40% të shërbimit në rang Kombëtar, ndërkohë që i njëjti investim po kryhet edhe në Vlorë, Elbasan dhe Fier.
“Nuk është investuar vetëm në Tiranë. Është investuar në Vlorë, po investohet në Elbasan, po investohet në Fier. Sot kemi ardhur te kjo sallë ku asgjë nuk mungon për qytetarin dhe kur është arritur të shërbehet për çdo gjë brenda 20 minutave. Deri dje është shërbyer në tre ditë, në katër ditë, në pesë deri në një javë”, u shpreh Isaraj.
I pranishëm në përurimin e ambienteve të reja ishte edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili tha se gradualisht reforma do të shtrihet në të gjithë qarqet e vendit.
“Drejtuesit e seksioneve të cilët mbulojnë shërbimet këtu janë të vendosur njësoj me sportelin. Do të thotë që çdo lloj problemi që mund të haset në moment nuk është se duhet të presë disa ditë për të bërë një ankesë. Kjo reformë që ka filluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Transporteve gradualisht do të shtrihet në të gjithë vendin. Kuptohet, do të marrë kohën e saj sepse kërkohen investime, kërkohen trajnime, por e rëndësishme është që ne kemi një plan të qartë”, tha Gjiknuri.
Paralelisht u bë me dije se është zgjidhur edhe problemi i pajisjes me leje drejtimi, i cili u bllokua për një periudhë disa mujore për shkak të procedurave të prokurimit publik.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.