Shfaqja e fundit e Brexit – May do të rikthejë marrëveshjen e saj në nisje të Qershorit
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, caktoi një datë për shfaqjen e fundit të Brexit, duke premtuar se do të sjellë përsëri marrëveshjen e saj në Parlament në nisje të Qershorit. Bisedimet me Opozitën nuk kanë sjellë ende një dakordësi, por ajo shpreson se deputetët do të mbështesin marrëveshjen e saj për të përfunduar këtë proces që po përçan parlamentin dhe për t’iu përgjigjur votuesve.
“Është koha që parlamenti të marrë një vendim. Vendi duhet të ecë përpara dhe bizneset duhet të kenë qartësi”, tha sekretari për Brexit Steve Barclay. Theresa May ka ngelur pa alternativa. Ajo nisi bisedimet me partinë laburiste 7 javë më parë, duke argumentuar se asgjë tjetër nuk po funksionon. Megjithatë, bisedimet nuk sollën një dakordësi dhe nuk është ende e qartë nëse mund të arrihet një shumicë në parlament.
Në javën që nis më 3 Qershor, Theresa May do të sjellë në parlament projektligjin e marrëveshjes së divorcit, çka do të kthejë marrëveshjen e saj në ligj. Qeveria ka bërë të ditur se është urgjente që marrëveshja të votohet përpara se parlamenti të marrë pushimet në Korrik.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.