Shifrat e kreditimit sipas FMN – Në Shqipëri huaja për familjet sa 11.21% e PBB, huaja totale në 36.87%
Në Shqipëri, norma e huave familjare në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është e dyta më e ulët në Europë, në vetëm 11.21%, thonë të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo normë është madje ndër më të ultat në nivel global, tregojnë të dhënat. Në vitin 2007 kjo normë ka prekur kulmin historik, në 12.93%.
Në Europë, vetëm Ukraina ka një normë më të ulët. Kjo e dhënë sinjalizon se sektori bankar, e sidomos ky segment i huadhënies ka një potencial mjaft të madh zgjerimi. Sa i përket huasë për bizneset, pra korporatat jo-financiare, norma fiksohet në 25.66% të prodhimit të Brendshëm Bruto.
Edhe kjo normë është ndër më të ultat në Europë, vetëm me Rumaninë me një normë më të ulët, në rreth 13%. Në total, huaja, si për familjarët ashtu edhe për bizneset është sa 36.87% e prodhimit kombëtar, që është norma e tretë më e ulët në Europë.
Për shumë vende të zhvilluara, norma ngjitet mbi vëllimin total të ekonomisë, deri në thuajse 400% në rastin e Luksemburgut. Të dhënat e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar i referohen vitit 2018.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.