Shiten pasuritë e konfiskuara – Në ankand 7 biznese të krimit me vlerë 6 milionë dollarë
7 biznese të sekuestruara nga aktivitetet kriminale kanë përfunduar në ankand. Bizneset janë nxjerrë në shitje nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Scan ka zbardhur të dhënat e publikuara nga kjo strukturë, sipas së cilës vlera e 7 bizneseve llogaritet të rreh 6 milionë dollarë. Mes tyre gjenden edhe biznese të njohura tashmë për publikun, si Resorti “Santa Quaranta” i Klement Balilit, i vlerësuar rreth 3 milionë dollarë.
Një tjetër biznes me vlerë të lartë është një hotel 6 katësh me vendndodhje në Ujin e Ftohtë në Vlorë. Çmimi i këtij biznesi, të vendosur shumë pak metra nga deti, vlerësohet në rreth 1 milionë dollarë.
Diçka më shumë se 300 mijë dollarë vlerësohet një restorant i vendosur në një prej zonave qendrore të Tiranës.
Paralelisht Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka nxjerrë në shitje dhe rreth 40 pasuri të paluajtshme të konfiskuara.
Bëhet fjalë për sipërfaqe të mëdha tokash, pyjesh, restorante, dyqane e apartamente me një vlerë totale prej rreth mbi 5 milionë dollarë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.