Shitja e “Societe Generale” – Miratohet nga Autoriteti i Konkurrencës
Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar shitjen e shumicës së aksioneve të bankës Societe Generale Albania te grupi hungarez OTP. Në muajin Gusht të këtij viti, grupi francez pati njoftuar arritjen e marrëveshjes për shitjen e 88.89% të aksioneve, për një shifër prej rreth 32.5 milionë eurosh. Më tej, marrëveshja duhet të miratohet edhe nga Banka e Shqipërisë, por, për momentin, vendimmarrja e këtij institucioni është e paralizuar, për shkak të mungesës së kuorumit në Këshillin Mbikëqyrës.
Shitja e filialit shqiptar është pjesë e negociatave më të gjera, ku OTP do të blerë të gjitha bankat e grupit Societe Generale në Ballkan. Autoriteti Bankar Europian ka rritur kërkesat për kapital lidhur me aktivet që grupet bankare zotërojnë jashtë Eurozonës, ndaj, disa prej tyre, mes të cilave Societe Generale, kanë vendosur të largohen nga tregjet e Europës Lindore dhe Qendrore. Shitja e degës shqiptare u vonua për shkak të bllokimit nga aksionerët e vegjël të bankës, që pretendonin të drejtën e parablerjes.
Por, kjo rezultoi një manovër për të detyruar grupin francez të blinte edhe pjesën e tyre të aksioneve. Për të çbllokuar marrëveshjen me OTP, Societe Generale bleu në fillim të nëntorit edhe pjesën e aksionerëve të vegjël shqiptarë për 11.5 milionë euro. Societe Generale Albania zotëron rreth 85 miliardë lekë aktive, ose afërsisht 5.7% të tregut bankar shqiptar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.