Shitja me pakicë e gazit natyror – ERE licencon “Albpetrol” për furnizimin për një afat 10-vjeçar
Enti Rregullator i Energjisë ka licencuar kompaninë publike Albpetrol në kryerjen e aktivitetit të furnizimit me gaz natyror. Sipas vendimit të ERE-s kohëzgjatja e licencës do të jetë 10-vjeçare, ndërkohë që aktiviteti do të ushtrohet në drejtim të shitjeve me pakicë të gazit. Ky vendim vjen pas atij, të muajit prill të këtij viti ku kërkohej plotësimi i disa kushteve nga ana e kompanisë publike.
Ndërkaq, sipas vendimit të ri, Albpetrol ka arritur të depozitojë një pjesë të dokumentacionit të kërkuar, teksa edne nuk ka përmbushur detyrimin për kryrjen e të gjitha pagesave ndaj organeve tatimore. Ndër të tjera, Albpetrolit i kërkohej të vërtetonte se kishte shlyer detyrimet fiskale dhe sigurimeve shoqërore, por rezulton se shoqëria ka ende gjoba dhe kamatvonesa ndaj institucionit tatimor.
Ndodhur në këto rrethana, ERE i ka lënë edhe 6 muaj kohë për depozitimin në vijim të vërtetimit respektiv pa detyrime tatimore, i cili nuk lidhet me fillimin e operimit të aktivitetit të licencuar, duke i dhënë mundësinë shoqërisë që të krijojë të ardhura nga veprimtaria e licencuar, për shlyerjen e debive ndaj tatimeve dhe t’i demonstrojë ato periodikisht në ERE. Albeptrol është shoqëria e dytë e lincencuar nga ERE për ushtrimin e aktivitetit të furnizimit me gaz natyror.
Deri më tani, në këtë aktivitet është licencuar vetëm kompania private Phoneix Petroleum, licenca e të cilës përfundon në vitin 2026. Sektori i gazit natyror në vend mbetet ende i pazhvilluar, ndërkohë që disa projekte parashikohet të zbatohen, çka parashikohet t’i japin hov këtij sektori të rëndësishëm.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.