Shitjet e biznesit-Përtej turizmit, rritja ishte modeste edhe në tremujorin III
Shitjet e biznesit prodhues u rritën me ritme të ngadalësuara në tremujorin e tretë të vitit. Në industri, indeksi i shitjeve u rrit me 4.1%, në ngadalësim të mëtejshëm nga niveli 4.3% i tremujorit të dytë. Sipas të dhënave të Instat, sidomos industria nxjerrëse vazhdon të ketë një ecuri të luhatshme dhe në tremujorin e tretë të vitit shënoi një rritje të shitjeve me vetëm 0.8%.
Industria përpunuese duket më e qëndrueshme në rritjen e saj dhe shitjet u zgjeruan me 5.1%. Një rritje e përafërt me industrinë u regjistrua në sektorin më të rëndësishëm të shërbimeve, atë të tregtisë. Shijet në këtë sektor u rritën me 4.3% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, sezoni i mbarë turistik është reflektuar në rritje me ritme të larta të shitjeve në sektorin e hotelerisë, me 22.5% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Në sektorin tjetër të lidhur ngushtë me turizmin, atë të bar-restoranteve, rritja e shitjeve, megjithatë, rezultoi në nivele më të ulëta, me 5.4%.
Mbështetur në të dhënat e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, turistët e huaj shpnzuan 782 milionë euro në tremujorin e tretë. Jashtë ndikimit të turizmit, degët e tjera të shërbimeve përgjithësisht regjistruan rritje modeste. Ndërkohë, sektori i ndërtimit shfaqi për të dytin tremujor radhazi ecuri negative.
Pasi rënies me 1.8% në tremujorin e dytë, në të tretin shitjet pësuan rënie, me 4.4% më pak kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Besohet se rënia i detyrohet sidomos pakësimit të volumit të punimeve në gazsjellësin TAP, që është drejt përfundimit të plotë për pjesën që i takon territorit shqiptar. Indeksi i shitjeve është një tregues orientues për ecurinë e prodhimit të brendshëm bruto.
Një rritje e më e ngadaltë e shitjeve ka gjasa të reflektohet në ritme më të ulëta të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.