Shitjet e biznesit – Rritje e lartë edhe në tremujorin e dytë
Indeksi i shitjeve në sektorin prodhues të ekonomisë shqiptare u rrit me ritme të larta edhe në tremujorin e dytë, duke sinjalizuar ritme të kënaqshme të rritjes edhe për këtë tremujor.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, industria rriti shitjet me 12.6% me bazë vjetore, duke u mbështetur sërish në një masë të madhe në prodhimin e lartë të energjisë elektrike. Shitjet në këtë degë u rritën me më shumë se 38% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Edhe dy degët e tjera të industrisë, ajo nxjerrëse dhe përpunuese raportuan rezultate të mira. Në veçanti, degë me peshën kryesore, industria përpunuese i rriti shitjet me 15.5%.
Ndërkohë, zhvillime negative erdhën vetëm nga sektori i ndërtimit, ku shitjet ranë me afro 5%. Megjithatë, në rastin e ndërtimit duhet pasur parasysh edhe efekti i bazës së lartë krahasuese. Viti i kaluar ishte një vit elektoral, i shoqëruar me një fluks të rritur investimesh në infrastrukturë për tremujorin e dytë. Përgjithësisht, raporti mes viteve të zakonshme dhe atyre elektorale sjell çbalancime të tilla në rezultatet e ndërtimit.
Tendenca e shitjeve ishte pozitive edhe në sektorin e shërbimeve, kryesisht në degët e lidhura me turizmin, si agjencitë e turizmit, hoteleria dhe transporti, ku shitjet u rritën me ritme dyshifrore krahasuar me një vit më parë.
Këta sektorë po përfitojnë kryesisht nga tendenca pozitive e turizmit, që edhe këtë vit është në rritje, siç dëshmohet nga të dhënat për hyrjen e vizitorëve dhe shpenzimet për udhëtime në bilancin e pagesave. Ndërkohë, tregtia, dega me peshën kryesore në shërbime, shënoi një rritje më të përmbajtur, me 1.9% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.