Shitjet e biznesit – Tendencë e kundërt me rritjen ekonomike
Biznesi shqiptar rriti shitjet me 4.4% për vitin e kaluar. Të dhënat paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve 2016, tregojnë se norma e rritjes së shitjeve është ulur në raport me rritjen prej 4.7% të vitit 2015.
Rritja më e dobët e shitjeve, për të dytin vit radhazi, është një lloj paradoksi, po të kemi parasysh se rritja ekonomike gjatë viteve të fundit po ndjek një tendencë në përmirësim. Parimisht, do të pritej që për një ekonomi në rritje volumi i shitjeve të biznesit të ishte gjithashtu në rritje. Por, ndërkohë që rritja ekonomike po përmirësohet me mbi një pikë përqindjeje çdo vit, shitjet e biznesit po rriten me një hap në ngadalësim.
Kontributi në rritjen e shitjeve ka ardhur kryesisht nga dega e shërbimeve, që ka kontribuar për 3.7% të rritjes totale të shitjeve, ndërsa prodhuesit e të mirave me 0.7%. Për këtë vit, raporti i shitjeve në ekonominë shqiptare është thelluar edhe më shumë në favor të shërbimeve, ku një ndikim të konsiderueshëm ka pasur kriza e industrisë nxjerrëse
Ndonëse investimet e biznesit u rritën edhe për vitin e kaluar, sërish tendenca është më e dobët krahasuar me vitin 2015. Kështu, rritja e investimeve nga ndërmarrjet për vitin 2016 ishte 6.3%, nga 13.5% që kishte qenë vitin paraardhës. Sipas INSTAT, mbi 42% e investimeve janë kryer në sektorin energjetik, kryesisht në projektet madhore për ndërtimin e veprave të reja.
Një trajektore të ngjashme me investimet ka regjistruar edhe punësimi. Numri i të punësuarve është rritur me afro 8%, sërish rritja është ndjeshëm më e ulët krahasuar me nivelin 17.1% të vitit 2015. Megjithëse tregu i punës vazhdon të shfaqë përmirësime, rritja më e lartë e punësimit në raport me shitjet e bën akoma më të mprehtë çështjen e produktivitetit të dobët të punës. Kjo është një dobësi historike e ekonomisë shqiptare, që vazhdon të theksohet në vitet e fundit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.