Shitjet me pakicë rriten me 3.7% në tremujorin III
Shitjet me pakicë e përshpejtuan rritjen në tremujorin e tretë të këtij viti. Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit 3.7% me bazë vjetore. Kjo është rritja më e lartë e shitjeve me pakicë për dy vitet e fundit.
Ndryshe nga tremujorët e mëparshëm, rritja e shitjeve me pakicë ka qenë më pak e përcaktuar nga shitja e karburanteve.
Megjithëse shitjet e hidrokarbureve regjistruan një rritje sërish të lartë, me 5% më shumë krahasuar një vit më parë, në tremujorin e tretë pati një rritje të lartë edhe në degët e tjera të tregtisë me pakicë.
Duke përjashtuar hidrokarburet, indeksi i shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit me 3.1%, afro dy herë e gjysëm më shumë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit.
Rritja e shitjeve erdhi sidomos nga ushqimet dhe pijet, me afro 7% më shumë, ndërkohë që indeksi i shitjeve për produktet e tjerë u rrit me vetëm 0.3%. Kjo dëshmon se rritja e shitjeve me pakicë mund të jetë ndikuar shumë nga sektori i turizmit.
Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit privat në ekonomi, ndaj kjo rritje e zbehtë vë në pikëpyetje optimizmin për një kontribut më të lartë të këtij komponenti në rritjen ekonomike.
Konsumi është shtylla kryesore e rritjes së ekonomisë shqiptare, me mbi 80% të kontributit total.
Analizat makroekonomike tregojnë se konsumi është në një proces përmirësimi gradual, falë përmirësimit të rritje ekonomike, zhvillimeve pozitive në tregun e punës, por edhe një rritje të lartë të kredisë konsumatore.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.