Shitjet me pakicë – Rriten me 8.6% tremujorin IV 2016
Shitjet me pakicë në ekonomi u rritën me ritme të larta edhe në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit 8.6% me bazë vjetore, duke regjistruar nivelin më të lartë në dy vitet e fundit.
Duket se diferencën në raport me tremujorët e mëparshëm e kanë bërë shitjet me pakicë të hidrokarbureve, që në tremujorin e katërt 2016 u rrit me 10.6%.
Rritja e volumeve të shitjeve në tregtinë e hidrokarbureve i detyrohet kryesisht tendencës së rritje graduale të çmimeve të karburanteve.
Nëse përjashtojmë nga indeksi i shitjeve me pakicë tregtinë e hidrokarbureve, shitjet janë rritur me 7.2%, nivel i kënaqshëm, por më i ulët krahasuar me tremujorët pararendës.
Pas karburanteve, kontributin kryesor në rritjen e shitjeve me pakicë në ekonomi e ka dhënë grupi i produkteve jo-ushqimore, me një rritje vjetore 7.8%, ndërsa shitjet në grupin e produkteve ushqimore e kanë ngadalësuar rritjen në 6.2%, nga një rritje afro dy herë më e lartë në tremujorin pararendës.
Rritja e qëndrueshme e shitjeve me pakicë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2015 dhe gjithë vitit 2016 është një sinjal i qartë i përmirësimit të kërkesës së brendshme dhe në veçanti e konsumit të sektorit privat, që është edhe nxitësi kryesor i rritjes ekonomike të vendit.
Në veçanti, rritja e shitjeve për produktet jo-ushqimore është më domethënëse dhe mund të interpretohet si një shenjë e përmirësimit të kërkesës së brendshme në ekonomi edhe për produkte më pak të domosdoshme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.