Shitjet me pakicë – Rritje 2.4%, por e “fryrë” nga karburantet
Shitjet me pakicë u rritën me një ritëm më të lartë në tremujorin e dytë të vitit. Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit 2.4% me bazë vjetore. Kjo është rritja më e lartë e shitjeve me pakicë në ekonomi që nga fillimi i vitit 2017.
Megjithatë, një ndikim të konsiderueshëm në ecurinë e shitjeve me pakicë vazhdon të ketë tregtia e karburanteve. Instat raporton se, po të përjashtojmë tregtinë e hidrokarbureve, rritja e shitjeve me pakicë do të ishte e përgjysmuar, me 1.2%.
Ndaj, pot ë përjashtojmë karburantet, rritja e shitjeve me pakicë në ekonomi ngelet ende shumë modeste. Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit privat në ekonomi, ndaj kjo rritje e zbehtë vë në pikëpyetje optimizmin për një kontribut më të lartë të këtij komponenti në rritjen ekonomike.
Konsumi është shtylla kryesore e rritjes së ekonomisë shqiptare, me mbi 80% të kontributit total. Në tremujorin e dytë rritja e shitjeve ishte më e ekuilibruar mes produkteve ushqimore dhe jo-ushqimore.
Përkatësisht, shitjet e produkteve ushqimore u rritën me 1.4%, ndërsa ato jo ushqimore me 1.2%. Në parim, rritja e shitjeve në mënyrë lineare, pavarësisht elasticitetit të kërkesës, mund të interpretohet si zhvillim pozitiv.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.