Shitjet me pakicë – Rritje e dobët edhe në tremujorin e parë
Shitjet me pakicë në ekonominë shqiptare u rritën në përmasa modeste edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit 1.5% me bazë vjetore. Kjo rritje është disi më e lartë krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, por sidoqoftë konfirmon një ngadalësim në të rritjes së shitjeve me pakicë në ekonominë shqiptare gjatë vitit të kaluar.
Ndryshe nga tremujori i fundit 2017, ndikimin kryesor e ka dhënë rritja e shitjeve për produktet jo-ushqimore, me një rritje vjetore 2.8%. Nëse vitin e kaluar një faktor me peshë të konsiderueshme ka qenë lëvizja në rënie e çmimeve të karburanteve, në tremujorin e parë të këtij viti rritja e dobët e shitjeve nuk justifikohet më nga tregtia e hidrokarbureve dhe ky segment i tregut nuk ka pasur një ndikim shumë të madh në indeksin e përgjithshëm.
INSTAT raporton se, po të përjashtojmë tregtinë e hidrokarbureve, rritja e shitjeve me pakicë ka qenë pak më e lartë, me 1.7%. Në tre tremujorët e mëparshëm, rritja e tregtisë me pakicë, pa përfshirë hidrokarburet, kishte qenë mbi 3%.
Zbehja e rritjes së shitjeve me pakicë në tremujorët e fundit vjen disi e papritur, po të kemi parasysh se projeksionet ekonomike parashikojnë një përmirësim të konsumit si motori kryesor i rritjes ekonomike. Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit privat në ekonomi.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.