Shitjet me pakicë/ U rritën me 3.9% në tremujorin e fundit të vitit 2019
Shitjet me pakicë u rritën me 3.9% në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Instat raporton se rritja vjetore e shitjeve me pakicë edhe në tremujorin e katërt qëndroi në të njëjtin nivel me tremujorin e mëparshëm. Tërthorazi, kjo tregon se tërmeti i fundit të nëntorit nuk duket të ketë dhënë një ndikim dramatik në ecurinë e shitjeve me pakicë në ekonominë shqiptare.
Për të dytin tremujor radhazi, dega që ka regjistruar rritjen më të lartë të shitjeve ka qenë ajo e karburanteve, ku shitjet u rritën 4.8% me bazë vjetore. Duke përjashtuar hidrokarburet, rritja e shitjeve me pakicë ishte disi më e ulët, në nivelin 3.7%.
Ndikimin kryesor pozitiv e ka dhënë rritja e shitjeve për produktet joushqimore, me një rritje vjetore 4.4%, ndërsa shitjet për produktet ushqimore u rritën me 2.6%.
Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit.
Për vitin 2019, vlerësohet se rritja ekonomike pësoi një ngadalësim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2018. Megjithatë, shitjet me pakicë tregojnë një tendencë në përmirësim të konsumit, i mbështetur nga rritja e punësimit, rritja e besimit konsumator dhe zgjerimi i kredisë bankare.
Konsumi privat është kontribuesi kryesor në krijimin e vlerës së shtuar në ekonomi, me rreth 80% të totalit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.