Shkarkohet Rovena Gashi – Nuk justifikoi pasuritë, dyshime për 16 apartamente në bregdet
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar të martën ish-Drejtoreshën e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme Rovena Gashi. Si edhe pak ditë më parë, kur zgjodhi të bojkotojë seancën dëgjimore, Gashi përsëri zgjodhi të mos paraqitej përpara trupit gjykues të Vetting-ut.
Gashi u gjend nën akuzë për mosjustifikimin burimeve financiare për blerjen e dy apartamenteve, një në Tiranë dhe një tjetër te Shkëmbi i Kavajës. Për apartamentin te Shkëmbi i Kavajës ajo ka përfituar një ulje çmimi prej 35 mijë eurosh nga i kunati, i cili është edhe ortak në firmën ndërtuese të objektit. Ndërsa apartamenti në Tiranë rezulton i dhuruar nga babai i saj. Por ai nuk është deklaruar si pronë nga Gashi, ndërkohë që në momentin e blerjes, babai i saj nuk i ka pasur burimet e mjaftueshme financiare për këtë blerje.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ngritur dyshime edhe mbi 16 apartamente në Durrës që mendohet se i përkasin po babait të saj, duke iu referuar pagesave të energjisë në OSHEE. Aktualisht ajo është e pezulluar, pasi ndaj saj ka nisur një procedim për fshehje pasurie.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.