Shkelje në shitjen e gazit – “Bilanci” i ISHTI: Në 2017-ën u gjobitën 183 subjekte
Përgjatë vitit 2017, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka gjobitur në total 183 subjekte të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, pajisjeve nën presion dhe instalimeve elektrike.
Numri më i madh i tyre është shënuar gjatë muajve të verës, kur rreziku është edhe më i lartë për shkak të temperaturave. 2 muajt që kryesojnë listën janë pikërisht korriku dhe gushti me respektivisht 50 dhe 62 gjoba.
Periudha kohore nga janari në qershor ka shënuar një aktivitet të ulët të këtij institucioni, duke qenë se përgjatë gjithë 6-mujorin u penalizuan vetëm 22 subjekte.
Ndërkohë që, me kalimin e verës u vu re sërish një ulje e intensitetit të penalizimeve, duke qenë se gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor u penalizuan mesatarisht nga 15 subjekte në muaj.
Ndërkaq, dhjetori ka shënuar dhe numrin më të ulët të penalizimeve, me vetëm 5 subjekte të gjetur në shkelje.
Masa e gjobave të vendosura përgjatë gjithë vitit varion nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë, ndërkohë që vetëm për 6-mujorin e dytë të vitit shuma totale e tyre arrin në rreth 41 milion lekë.
Sa i takon shkeljeve të konstatuara, ato lidheshin përgjithësisht me mungesën e dokumentacionit, mungesën e Projektit Teknologjik të rezervuarit të gazit apo edhe mbushje bombolash për përdorim familjar në kundërshtim me ligjin.
Subjektet e penalizuar në periudhën korrik-dhjetor:
KORRIK 50 GJOBA 10.7 MLN LEKË
GUSHT 62 GJOBA 16.9 MLN LEKË
SHTATOR 16 GJOBA 4.2 MLN LEKË
TETOR 14 GJOBA 3 MLN LEKË
NËNTOR 14 GJOBA 3.6 MLN LEKË
DHJETOR 5 GJOBA 2.5 MLN LEKË
TOTALI 161 GJOBA 40.9 MLN LEKË
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.