Shkeljet në procedura tenderuese – Ankesat e operatorëve ekonomikë. Në 3 muaj, KPP anulon 28 tenderë
Në vetëm 3 muaj Komisioni i Prokurimit Publik ka anuluar 28 procedura të prokurimit publik, duke pranuar ankesat e operatorëve ekonomikë për parregullsi gjatë kryerjes së tyre. Sipas të dhënave zyrtare nga ky dikaster, gjatë periudhës 9 korrik- 16 tetor 2020 janë shqyrtuar 273ankesa të paraqitura nga operatorët ekonomikë për procedura të prokurimit publik, lejeve minerare dhe ankande. Nga këto 172 janë ankesa të reja, të depozituara gjatë periudhës 3-mujore, ndërsa 101 ankesa i përkasin periudhës Shtator 2019 deri në 8 Korrik 2020.
Ndërkaq, pas shqyrtimit në themel, për këtë periudhë janë marrë 211 vendime, prej të cilëve 28 për anulim procedurash, ndërkohë që edhe 120 ankesa të tjera janë pranuar, duke u dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë. Si pasojë e anulimit të tenderëve me vendim të KPP-së, përllogaritet një efekt pozitiv në buxhetin e shtetit prej 13,5 milion lekësh. Ndërkohë që, janë zhbllokuar rreth 80 milion euro fonde publike, për investime në punë/mallra dhe shërbime.
Paralelisht, gjatë kësaj periudhe janë referuar pesë çështje pranë Agjencisë së Prokurimit Publik për hetim administrativ të mëtejshëm, ndërkohë që Komisioni i Prokurimit Publik ka marrë masën Gjobë në vlerën 50,000 lekë për titullarin e autoritetit kontraktor Ujësjellës Kanalizime Himarë Sh.a për mos bashkëpunim me Komisionin e Prokurimit Publik.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.