Shkëmbimet tregtare po ‘imunizohen’! Sa është lëkundur partneriteti tregtar nga pandemia?
Nga Jenida Vladi/SCAN Magazine
“Pandemia korona” është zgjedhur si fraza e vitit 2020 nga ‘Shoqëria për Gjuhën Gjermane’. Kjo pasi liderët botërorë e kanë konsideruar si krizën më të madhe, që pas Luftës së Dytë Botërore. Si e tillë, pasojat e saj janë degëzuar në çdo vend të botës, e më pas janë shkrirë në çdo sektor të ekonomisë së këtyre vendeve. Boshti kryesor i ekonomisë në Shqipëri, shkëmbimet tregtare, janë luhatur ndjeshëm në 10 mujorin e vitit 2020, veçanërisht marrëdhëniet me partnerët kryesorë tregtar.
Në periudhën janar – tetor 2020, e pritshme në fakt, si eksportet ashtu edhe importet kanë ndjerë rënie, krahasuar me 10 mujorin e vitit 2019. Por lajmi i mirë është se me kalimin e muajve, pas karantinës së fillimit të vitit, shkëmbimet tregtare po rikuperojnë gradualisht. I vetmi zë që ka krijuar tashmë “anti-trupat” e nevojshme është ai i ushqimeve.
Ndërkohë, grupmallrat më të rëndësishme si tekstilet, mineralet apo pjesët e këmbimit që përbëjnë në thelb edhe “motorin” e punësimit dhe të ardhurave për ekonominë shqiptare, vijojnë të mbeten të ‘infektuara” nga pandemia. Pritshmëritë janë që nga muaji në muaj, shifrat të ndryshojnë e të shkojnë në nivelet e mëparshme e të kapërcejnë nivelet e vitit 2019; gjithnjë nëse vendi ynë dhe partnerët tregtarë nuk përballen me një mbyllje të dytë në muajt e ardhshëm.
Gjithsesi, në analizat e deritanishme të të dhënave të tregtisësë jashtme, mund të thuhet jo vetëm se pandemia goditi shkëmbimet tregtare, por edhe ndikoi në gjeografinë e partnerëve tregtarë duke orientuar Shqipërinë në kanale të tjera.
Sa i takon eksportit, sipas raportit të Institutit të Statistikave mbi tregtinë e jashtme, rënia ka qenë me 12.2%. Në total, vlera e mallrave të eksportuar drejt destinacioneve të ndryshme të botës ka qenë 221 miliardë lekë. Nga ana tjetër, importet në 10 mujorin e 2020-ës kanë rënë në vlerën e 488 miliard lekëve, duke ndjerë kështu, një rënie me 9.7%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit paraardhës. Shifrat e INSTAT tregojnë se deficiti tregtar ka arritur vlerën 267 miliardë lekë, duke u ulur me 7.6%, krahasuar me një vit më parë (janar – tetor 2019).
Partnerët kryesorë tregtarë, “goditet” Italia, Turqia dhe Greqia
Pandemia ka goditur sidomos marrëdhënien me partnerin kryesor tregtar të Shqipërisë, Italinë. Instat tregon se Italia është shteti me të cilin vendi ynë ka pasur “lëkundjen” më të fortë në shkëmbimet tregtare, si përsa i përket eksportit, ashtu edhe importit. Edhe pse 2020 nuk është mbyllur ende, të paktën kjo është vijimësia e këtyre raporteve midis Shqipërisë dhe Italisë për 10 mujorin e vitit. Referuar të dhënave të Instat, në periudhën janar – tetor 2019, eksportet drejt Italisë ishin në vlerën 121.8 miliardë lekë, ndërsa për po të njëjtën periudhë të këtij viti, kjo vlerë ra në 101.7 miliardë lekë. Thënë ndryshe, bëhet fjalë për një diferencë të ndjeshme me 20.1 miliardë lekë më pak eksporte nga 2019-ta.
16.6% më pak eksporte drejt Italisë, por edhe 11.7% më pak importe me partnerin kryesor tregtar të Shqipërisë. (periudha janar – tetor 2020). Sipas shifrave të Instat, importet kanë rënë me 15.9 miliardë lekë, krahasuar me periudhën janar – tetor 2019. Në 10 mujorin e 2019-ës, Shqipëria importoi 137.1 miliardë lekë mallra nga Italia, ndërsa në 10 mujorin e këtij viti, importi nga vendi fqinj ra në vlerën 121.1 miliardë lekë.
Sa i takon shkëmbimeve tregtare me dy vendet e tjera fqinje, Greqi dhe Turqi, eksportet kanë qenë më pak të prekura, madje në rastin e Turqisë janë rritur, mirëpo një rënie e konsiderueshme është ndjerë te importet. Raporti i Instat flet për një rritje me 339 miliardë lekë të eksporteve drejt Turqisë për periudhën janar – tetor 2020. Sipas këtyre shifrave, në janar – tetor 2019, Shqipëria ka eksportuar 1.7 miliardë lekë mallra drejt Turqisë, ndërsa për po të njëjtën periudhë të këtij viti, kjo vlerë është rritur në 2.1 miliardë lekë.
Përsa i përket importeve, Turqia është vendi me të cilin ky shkëmbim tregtar është prekur më së shumti, pas Italisë. Sipas Instat, importet nga Turqia në janar – tetor 2020 kanë rënë me 4.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në 10 mujorin e 2019-ës, Shqipëria ka importuar mallra në vlerë 48.6 miliardë lekë, ndërsa në 10 mujorin e 2020-ës, kjo vlerë ra në 46.3 miliardë lekë. Konkretisht, 2.3 miliardë lekë më pak importe nga Turqia.
Nga ana tjetër, as shkëmbimet tregtare me Greqinë nuk i kanë “shpëtuar” COVID – 19. Instat tregon se eksportet me Greqinë kanë rënë me 4 milionë lekë në janar – tetor 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Sipas shifrave, në 10 mujorin e vitit të kaluar, eksportet drejt Greqisë ishin në vlerën 10.646 miliardë lekë, ndërsa në 10 mujorin e 2020-ës ranë në 10.642 miliardë lekë.
Megjithatë, importet nga Greqia kanë rënë me 2.6 miliardë lekë. Nga 46.6 miliardë lekë në janar – tetor 2019, importet rezultuan në 44 miliardë lekë në janar – tetor 2020. Thënë kjo, Greqia plotëson zinxhirin e shteteve kryesore me të cilat Shqipëria ka pasur rënien më të madhe të importeve, ku kryesonte Italia, me 11.7 %, Turqia, 4.6 % dhe Greqia me 5.7%.
Gjermania, shteti i vetëm që “dominoi” pandeminë
Në fakt, të gjitha “dobësitë” që patën shkëmbimet tregtare me partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, duket të kenë qenë “forcë” për partneritetin tregtar me një tjetër shtet. Periudha e pandemisë ka forcuar marrëdhëniet tregtare me Gjermaninë. Sipas raportit më të fundit të Instat mbi tregtinë e jashtme, rritja më e madhe e eksporteve në këtë 10 mujor ka qenë me Gjermaninë, konkretisht me 14.3%. E në fakt, e njëjta gjë vlen edhe për importet, ku Gjermania është sërish shteti me rritjen më të madhe. Sipas Instat, importet me Gjermaninë në janar – tetor 2020 janë rritur me 0.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës.
Sa i takon eksporteve, deri në tetor 2020, Shqipëria ka eksportuar 1.7 miliardë lekë më shumë nga periudha janar – tetor 2019. Në total, në 10 mujorin e 2020-ës, eksportet drejt Gjermanisë kanë qenë 13.6 miliardë lekë. Nga ana tjetër, importet po nga ky shtet janë rritur me 312 milionë lekë (periudha janar – tetor 2020). Në 10 mujorin e vitit 2019, vlera e mallrave të importuar nga Gjermania ishte 37.5 miliardë lekë, ndërsa për po të njëjtën periudhë të vitit pasardhës, kjo vlerë arriti në 37.8 miliardë lekë.
Megjithatë, duke u zhvendosur te shifrat e përgjithshme të Instat, raporti tregon se në 10 mujorin e 2020-ës, eksportet janë ulur me 12.2% nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Në vlerë, bëhet fjalë për 30.7 miliardë lekë më pak nga janar – tetor 2019. Në total, eksporti i mallrave në 10 mujorin e vitit 2019 ka qenë 252.1 miliardë lekë, ndërsa deri tetorin e këtij viti, kjo vlerë ra në 221.3 miliardë lekë. Grupi që ka ndikuar më shumë në uljen e eksporteve ka qenë “Tekstile dhe Këpucë”, me 6.2%, grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 3.8% dhe “Materiale ndërtimi, metale” me 2.3%.
Nëse flasim për importet, nga 540.6 miliardë lekë në periudhën janar – tetor 2019, vlera ka rënë në 488 miliardë lekë. Thënë kjo në %-je, bëhet fjalë për 9.7% më pak importe, ose 52.5 miliardë lekë më pak nga janar – tetor 2019. Sa i takon grupeve që ka ndikuar më shumë në uljen e importeve në këtë periudhë, grupi i parë me që ka prodhuar uljen më të madhe vjetore është “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, me 4%, e më tej grupi “Tekstile dhe këpucë” me 2.2% dhe grupi “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me 1.5%.
Eksporti ushqimor, zëri i vetëm që thyen rekordin e vitit të kaluar
Eksporti i ushqimeve, pijeve dhe duhanit nga Shqipëria, është i vetmi zë që pandemia nuk e ka prekur, ose më saktë nuk e prekur në sensin negativ, por vetëm sa e ka fuqizuar. Shqipëria, sipas shifrave të Instat, ka eksportuar 2.8 miliardë lekë më shumë ushqime, pije dhe duhan në periudhën janar – tetor 2020, nga ç’ka eksportuar në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Referuar të dhënave të INSTAT, në 10 mujorin e vitit 2019, Shqipëria ka eksportuar 29 miliardë lekë nga këto grupmallra, në destinacione të shpërndara nëpër shtete. Ndërkaq, në periudhën janar – tetor 2020, eksporti i ushqimeve, pijeve dhe duhan ka kapur vlerën 31.9 miliardë lekë.
Përpos këtyre grupmallrave, të gjithë zërat e tjerë në fakt kanë pësuar rënie të eksporteve, krahasuar me 10 mujorin e 2019-ës. Eksportet, në tërësinë e tyre janë ulur me 12.2%, nga periudha janar – tetor 2019. Instat tregon se grupet që kanë ndikuar më negativisht në uljen vjetore të eksporteve janë “tekstile dhe këpucë”, me 6.2%, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 3.8%, si dhe “materiale ndërtimi dhe metale”, me 2.3%.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.