Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Greqi – Importet e ushqimeve nxisin deficitin
Shkëmbimet e mallrave gjatë gjysmës së parë të vitit kanë pësuar rritje si në eksporte ashtu edhe në importe, krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje vihet re edhe në shkëmbimet tregtare me Greqinë, e cila renditet partneri i gjashtë më i rëndësishëm për eksportet shqiptare dhe i treti për nga vlera e mallrave që kanë hyrë në territorin vendas.
Shkëmbimet tregtare në total për periudhën Janar-Qershor janë 32.52 miliardë lekë në vlerë mallrash.
Por duke krahasuar shkëmbimet, Shqipëria rezulton ndjeshëm në disavantazh dhe regjistron një deficit tregtar për gjashtëmujorin e parë në 18.7 miliardë. Ky deficit ka ardhur në rritje krahasuar me një vit më parë kur ishte vetëm 18.1 miliardë lekë.
Varësia e importeve nga Greqia duket veçanërisht në mallrat e grupit “ushqime, pije dhe duhan”. Importet nga ky grup kanë arritur nga 6.7 miliardë në 2017 në 7.6 miliardë në 2018. Në raport me importet totale te ushqimeve, importet nga Greqia zënë 14.8%, një shifër pothuajse e përafërt me importet e ushqimeve nga Italia, partneri ynë kryesor tregtar.
Disa mallra të tjera që importuam nga Greqia janë: “ minerale, lëndë djegëse” në vlerën afërsisht 4 miliardë lekë , “produkte kimike ,plastike” në vlerën 3.8 miliardë lekë, “tekstile dhe këpucë” në vlerën 1.5 miliardë lekë dhe “materiale ndërtimi dhe metale” në vlerën 4.3 miliardë lekë .Në përgjithësi vihet re një rritje e importeve për të gjitha kategoritë e mallrave.
e.t/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.