Shkolla e Drejtorëve – Qeveria miraton vendimin për ngritjen e institucionit, detyrat që do kryej
Në javën e parë të Shtatorit Kryeministri Rama gjatë një takimi me mësuesit në Elbasan deklaroi se do të ngrihet një institucion për të trajnuar drejtorët e shkollave.
Këtë ide e ka konkretizuar Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit, ku ka miratuar vendimin për “Organizimin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar dhe mënyrën e trajnimit e të certifikimit të tyre”.
Sipas vendimit ky institucion do të përbehet nga një bord drejtuesish prej pesë anëtaresh dhe një drejtor ekzekutiv.
Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, sipas pikës 9 të këtij vendimi, do të kryej këto detyra:
a) Vlerëson nevojat për trajnim të drejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar;
b) Përcakton llojin e trajnimeve, si proces përgatitor për certifikim, trajnimeve të vazhdueshme dhe trajnimeve të tjera si dhe krijon kurrikulat e programet përkatëse;
c) Lëshon certifikatën përkatëse të trajnimit për drejtimin e institucioneve të arsimit parauniversitar;
ç) Përcakton kriteret e përzgjedhjes dhe përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët trajnohen nga Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar;
d) Përzgjedh institucionet e arsimit të lartë apo të subjekteve të tjera për realizimin e objektit të veprimtarisë së Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar;
dh) Monitoron zhvillimin e trajnimit;
e) Ofron trajnimin e vazhduar ose trajnime të tjera, nëpërmjet kontraktimit të trajnerëve nga institucionet e arsimit të lartë apo subjekte të tjera vendase ose të huaja;
ë) Monitoron drejtorët/nëndrejtorët e institucioneve arsimore parauniversitare në vendet e tyre të punës, në veprimtarinë e përditshme;
f) Krijon rrjetin e drejtorëve/nëndrejtorëve të trajnuar nga Shkolla e Drejtorëve;
g) Bashkëpunon me institucione homologe të huaja dhe organizma ndërkombëtarë;
gj) Koncepton, zbaton e monitoron projektet dhe aktivitetet në fushën e drejtimit të arsimit parauniversitar;
h) Propozon politikat dhe zhvillimin e studimeve, në bashkëpunim me institucionet e arsimit parauniversitar, për të gjitha fazat që ndikojnë në cilësinë e formimit e të punës së drejtorit/nëndrejtorit të institucionit të arsimit parauniversitar, si: sistemin e formimit e të certifikimit të drejtorëve/nëndrejtorëve, sistemin e përzgjedhjes e të punësimit të drejtorëve/nëndrejtorëve, sistemin e zhvillimit profesional, sistemin e vlerësimit të performancës e të standardeve të punës së drejtorëve/ nëndrejtorëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.