“Shkollat e Shekullit XXI” – Britania investon 10 milionë paund për profesionet e së ardhmes
Përfitimet prej teknologjisë tashmë nuk do të jenë më një sfidë për shoqërinë shqiptare, kjo falë përfshirjes se shkollave në programe ambicioze. “Shkollat e shekullit 21” i financuar nga qeveria britanike do të shtrihet në të gjithë arsimin bazë në vendin tonë me synimin për ti mësuar fëmijëve aftësi të reja digjitale dhe koduese në një mënyrë zbavitëse dhe ndërvepruese dhe për të ndërtuar një brez me mendësinë dhe aftësitë për profesionet e së ardhmes. Gjatë lançimit të këtij programi ministrja e Arsimit Besa Shahini vlerësoi nevojën në rritje të shkollave për qasje drejtë teknologjisë.
“Aftësitë dixhitale janë të domosdoshme jo vetëm për punës drejt së ardhmes por edhe për jetën që po e jetojmë sot. Kështu që , kurrikula jonë patjetër është më e mirë se sa kurrikula që kemi pas më përpara dhe e çon nxënësin në drejtim të aftësive dixhitale. Por, industria është gjithmonë shumë para politikëërësve, kështu që ky projekt thjesht do të ndihmojë që ta çojë deri në fund kurrikulën ashtu siç kemi menduar”, deklaroi Shahini.
Në aktivitetin e lançimit në Tiranë, në shkollën “Niket Dardani”, përfaqësues nga British Council, qeveritë shqiptare dhe britanike si dhe nga institucione të tjera, diskutuan sfidën e pajisjes së nxënësve në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me aftësitë e së ardhmes.
“Në emër të Qeverisë Britanike dhe të British Council, jam shumë i gëzuar që lançojmë programin Shkollat e Shekullit 21 në Ballkanin Perëndimor, sot në përvjetorin e 30 të shpikjes së internetit.“Po e ndërmarrim diçka të tillë sepse duam ta ndihmojmë rajonin që të bëhet më i begatë dhe i qëndrueshëm. Zhvillimi i aftësive të shekullit të 21 do të ndihmojë në krijimin e brezit të ardhshëm të sipërmarrësve të teknologjisë dhe do të ndihmojë në krijimin e më shumë vendeve të punës. Dhe ashtu si me shpikjen e internetit, këtu e 30 vjet më parë, jam krenar që Mbretëria e Bashkuar po luan një rol themelor edhe në këtë përpjekje”, u shpreh Alan Duncan, Ministër për Europën.
“British Council e nisi këtë program, fillimisht si një projekt pilot gjatë 2017-2018, de jemi shumë të kënaqur me rezultatet dhe reagimet pozitive nga gjithkush që u përfshi. U vu re një rritje e numrit të mësuesve që i dhanë përparësi mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve në praktikat mësimore, ndërsa studentët raportuan nivele më të larta të zotësisë në kodim. Çdokush raportoi një rritje të motivimit, punës në grup dhe krijimtarisë në klasë. Mësimi u bë zbavitës. Tani me mbështetjen bujare të Qeverisë Britanike do të jemi në gjendje të shtrijmë këtë program në çdo shkollë të arsimit bazë dhe në çdo komunitet nëpër Ballkanin Perëndimor”, tha Angus Bjarnason, Drejtor i British Council për Shqipërinë.
“Kualifikimet dhe njohuritë janë të rëndësishme, por të rinjtë kanë nevojë të pajisen me aftësi që janë të rëndësishme jo vetëm në botën e sotme por edhe në botën ku do të jetojmë dhe punojmë në të ardhmen”, u shpreh Sean Melbourne, i ngarkuar me Punë, Ambasada Britanike.
“Shkollat e Shekullit 21 “ është një program 3 vjeçar i cili po zbatohet në Shqipëri dhe në 5 vende të Ballkanit Perëndimor . Ky program është një investim i qeverisë Britanike prej 10 milion paund. Në Shqipëri, rreth 1,200 shkolla, më shumë se 4,000 mësues dhe rreth 120,000 nxënës, mes moshës 10-15 vjeç, janë përfshirë në këtë program i cili synon të rrisë brezin e ardhshëm të novatorëve dhe sipërmarrësve, si dhe të ndërtojë mundësi punësimi.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.