Shkrirje te prodhuesit e makinave – Nissan pritet të bashkohet me Renault, duke krijuar një kompani të re
Prodhuesi francez i makinave Renault dhe gjiganti japonez Nissan, janë pranë një dakordësie për t’u bashkuar, gjë që do të krijojë një kompani të re që tregtohet me të njëjtin aksion.
Marrëveshja do të përfundonte aleancën aktuale mes kompanive dhe do t’i bashkonte ato në një korporatë të vetme, sipas burimeve nga Reuters.
Renault zotëron aktualisht 43% të Nissan, ndërsa prodhuesi japonez ka 15% të aksioneve te homologu francez.
Carlos Ghosn, presidenti i të dy kompanive është në krye të negociatave dhe do të drejtojë firmën e re që do të krijohet. Sipas burimeve, prodhuesit mund të mbajnë bazat e tyre në Japoni dhe Francë.
Aksionet e Renault u rritën me 8.3% në nisje të tregtisë europiane, duke shënuar rritjen më të madhe ditore në më shumë se 1 dekadë dhe prekur një vlerë tregu prej 36 miliardë dollarë.
Nga ana tjetër, vlera në treg e Nissan arrin në 43 miliardë dollarë. Sipas lajmërimeve, arritja e një marrëveshjeje do të jetë e vështirë. Qeveria franceze zotëron 15% të Renault dhe mund të mos lëshojë kontrollin.
Qeveritë e Francës dhe Japonisë do të duhet gjithashtu të miratojnë marrëveshjen dhe mund të ketë debate mbi vendndodhjen e kompanisë së re.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.