Shkrirjet në farmaceutikë – Shire i rekomandon aksionerëve ofertën prej $64 mld të Takeda
Firma britanike e trajtimit të sëmundjeve të rralla, Shire, deklaroi se do t’i rekomandojë aksionerëve ofertën prej 64 miliardë dollarë të kompanisë japoneze të farmaceutikës Takeda, duke mundësuar blerjen më të madhe në këtë sektor për vitin. Megjithatë, aksionet e firmës japoneze ranë me 7%, ndërkohë që investitorët dyshojnë për aftësitë e blerjes së një firme që është sa dyfishi i vlerës.
Rënia e vlerës në treg, me rreth 18% që prej lajmërimit të mundësisë për blerjen, e bën më pak të tërheqshme ofertën për zotëruesit e Shire, që do të ndërmerret me para cash’ dhe aksione. Aksionet e firmës britanike ranë me 0.8% në 39 paund, që është shumë poshtë ofertës së Takeda prej 49 paund për aksion. Kjo e shton skepticizmin për marrëveshjen, ndërkohë që rënia e çmimit të aksioneve të firmës japoneze e redukton vlerën e ofruar prej 64 miliardë dollarë. Pa një marrëveshje, aksionet e Shire mund të tërhiqen në nivelin e muajit Mars prej 30 paund.
Përpara ofertës së firmës japoneze, Shire po konsideronte shitjen e disa aktiveve dhe ndarjen e operacioneve. Oferta për blerje, që është e 5-a për firmën britanike, vlen 49 paund për aksion, që përbëhet nga 27.26 paund për aksione të reja të Takeda dhe 21.75 paund për aksion në para cash. Kjo vlerë është 4.3% sipër propozimit të katërt të Takeda të ndërmarrë më 20 Prill dhe 11.4% sipër ofertës fillestare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.