Shkrirjet në qendrat tregtare – Unibail-Rodamco blen Westfield, përballë sfidave nga shitësit online
Firma franceze e investimit në prona të paluajtshme, Unibail- Rodamco, ra dakord të blejë kompaninë e qendrave tregtare, Westfield, për 15.7 miliardë dollarë. Kjo shënon blerjen më të madhe të një kompanie australiane në historik.
Marrëveshja përshpejton konsolidimin e sektorit të pronave në shitjet me pakicë, ndërkohë që përballet me sfida nga shitësit online si Amazon.
Westfield që zotëron 35 qendra tregtare në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, deklaroi se transaksioni ishte bindës për të dyja palët.
Firma franceze deklaroi se aksionerët e Westfield do të marrin një kombinim të parasë cash dhe aksioneve, duke e vlerësuar në 7.55 dollarë për aksion firmën australiane, që është 18% sipër nivelit të mbylljes në sesionin e fundit tregtar.
Unibal- Rodamco deklaroi se marrëveshja do të krijojë një lider global të pronave, me një vlerë bruto të tregut në 72 miliardë dollarë. Qendrat tregtare në të gjithë botën po përballen me sfida prej ndryshimit në sjelljen e konsumatorëve dhe në përpjekjet e tyre për të nxitur të ardhurat.
Zgjerimi i gjigantit online Amazon.com, ka sjellë rritjen e shpejtë të blerjeve online për mallrat fizikë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.