Shkrumbohet fabrika e riciklimit – Shtëllunga gjigante tymi e flakë për orë të tëra në Kashar
Ka vijuar me orë të tëra beteja e zjarrfikësve, por edhe e forcave të ushtrisë, me flakët që përfshinë një fabrikë riciklimi mbetjesh në Kashar. Zjarri shpërtheu rreth orës 10 të paradites në magazinën e fabrikës, ndërkohë që janë dëgjuar edhe shpërthime të vogla Brenda saj. U raportua se në momentin e shpërthimit të flakëve Brenda ambienteve të fabrikës ka pasur punëtorë, por se kanë arritur të largohen menjëherë duke shmangur çdo dëm në njerëz.
Zjarri u shoqërua me një shtëllungë gjigante tymi, e cila vërehej nga disa kilometra larg, ndërkohë që policia bllokoi qarkullimin në zonë.
Përreth fabrikës gjenden edhe objekte të tjera biznesi, të cilat mbetën jashtë rrezikut.
Zjarri në fabrikën e riciklimit të mbetjeve paraditen e sotme, nuk ka shkaktuar dëme të konsiderueshme vetëm në këtë biznes, por edhe në rrjetin e energjisë elektrike.
Dëme ka pësuar rrejti I shpërndarjes së energjisë elektrike.
Përmes një deklarate zyrtare OSHEE bëri me dije se për shkak të rënies së zjarrit te fabrika e riciklimit, është djegur një pjesë e linjës që furnizon Unazën e Re dhe Mëzezin. Grupet e punës së OSHEE ndodhen në terren për masat e ruajtjes së sigurisë. Raportohet për një kabinë të djegur plotësisht ndërkohë që janë stakuar dy fidera për masë sigurie.
Pranë fabrikës gjendeshin dhe objekte të tjera biznesi
Për shkak të materialeve që gjendeshin brenda godinës, puna e zjarrfikësve për shuarjen e flakëve është mjaft e vështirë. Pranë zonës gjenden edhe dy pika karburanti, por policia bën të ditur se nuk ka rrezik. Më herët, policia njoftoi edhe se fatmirësisht nuk ka persona të plagosur.
Makina të shumta zjarrfikëse janë duke punuar aktualisht në zonë, zjarrfikëseve të Tiranës, u janë bashkuar edhe ato të Vorës, por ndihma ka ardhur edhe nga Durrësi, si edhe nga forcat e ushtrisë.
Kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, me anë të një postimi në “Twitter”, shkroi se të gjitha shërbimet e qytetit Emergjencat Civile, Zjarrfikës, Polici dhe Ushtri janë përfshirë në betejën me zjarrin”.
Ndërkohë i bën thirrje qytetarëve të evitohet zona. “Ju lutem evitoni kalimin ne zone gjer sa situata te vihet nen kontroll!”, shkruan në Twitter Veliaj.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.