Shkurtohen pagat dhe dietat e deputetëve – Projektligji/ T’iu hiqen privilegjet që gëzonin deri më tani
Opozita parlamentare propozon shkurtimin me 30 për qind pagën bazë të deputetëve si dhe të mos akordohet më pagesa për karburant dhe telefon prej 47 mijë lekësh. Projektligji për “Statusin e deputetit”, i cili mban firmën e deputetit demokat Erion Piciri, është depozituar për diskutim në Komisionet Parlamentare dhe parashikon gjithashtu që të mos u ofrojë më ligjvënësve mundësinë për strehim; për kredi preferenciale apo për të futur mallra pa doganë.
Projektligji në fjalë parashikon tërheqjen e pagës kalimtare deri 3 vjeçare dhe barazimin e saj me të gjithë qytetarët shqiptarë që përfitojnë sipas vjetërsisë Kodit të Punës. po ashtu, propozohet që deputetëve t’u hiqet mundësia për kurim jashtë më paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Në relacion shpjegohet se këto ndryshime po bëhen për shkak të situatës ekonomike dhe sociale ku ndodhet vendi, ku paga e një deputeti është sa pesë fishi i pagës mesatare në Shqipëri si dhe deputetët nuk mund të paguhen më shumë se një mjek kirurg apo një profesor universitar.
Bazuar në një analizë të gjendjes ekonomike në vend, drafti del në përfundimin se rroga bazë e deputetit nuk duhet të kalojë dyfishin e pagës mesatare kombëtare, e cila është 52.600 lekë, ndërsa deputetët paguhen 156 mijë lekë. Sipas relacionit, me këto ndryshime parlamentarët do të jenë më të motivuar që të rrisin ekonominë dhe rrogën mesatare në nivel kombëtar në mënyrë që të përfitojnë edhe rritjen e pagës së tyre. Kjo nismë i kursen buxhetit të shtetit 2.5 miliardë lekë të vjetra në vit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.