Shmangia e korrupsionit në inspektime – Urdhëri i Inspektoratit, si do të kontrollohen bizneset
Inspektorati Qendror ka nxjerrë një urdhër që përcakton mënyrën se si duhet të kryhen inspektimet në biznese, me qëllim rritjen e efektivitetit, përgjegjshmërisë, transparencës dhe shmangies së korrupsionit në fushën e veprimtarisë së inspektimeve, si dhe mbrojtjen e interesave të ligjshëm të subjekteve.
Sipas urdhrit të botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se inspektimet do të kryhen me dokumente standarde, listë verifikimi dhe kartën digjitale të inspektorit. Ndërsa inspektimet online do të kryhen bazuar në metodologjinë e analizës së vlerësimit të riskut; si dhe do të kryhen inspektime në portalin unik të inspektimeve, e-Inspektimi nëpërmjet paketave portable.
Kështu inspektoratet do të hartojnë plane vjetore dhe mujore të inspektimit, të cilat gjenerohen në portalin e-Inspektim, dhe zbatohen në mënyrë strikte. Në rastet e inspektimeve të programuara, subjekti, objekt inspektimi urdhërohet të korrigjojë shkeljet e konstatuara, duke përcaktuar dhe një afat të arsyeshëm për këtë qëllim. Për verifikimin e korrigjimit të shkeljeve të konstatuara nga trupa inspektuese, kryhet një inspektim i ri. Në rastet kur nga riinspektimi rezulton se subjekti nuk ka zbatuar detyrat e lëna nga inspektimi i mëparshëm, procedohet me masë administrative. Procedura e inspektimit dhe riinspektimit kryhen online.
Trupat inspektuese të inspektorateve shtetërore, kanë të drejtë të marrin pa pagesë, mostra të produkteve, materialeve, mallrave, substancave apo prodhimeve dhe t’ia nënshtrojë ato ekzaminimit apo analizave vetëm në prani të përfaqësuesit të subjektit të inspektuar, përveç rasteve kur ai është përjashtuar me vendim, nga të qenit i pranishëm gjatë inspektimit. Marrja e mostrave, pasqyrohet në procesverbalin e inspektimit.
Trupa inspektuese e mbyll procesverbalin pa marrë vendim përfundimtar, deri në marrjen e rezultatit të ekspertizës apo të ekzaminimit nga laboratori. Subjekti riinspektohet brenda 4 ditëve, nga data e marrjes së përgjigjes së analizave. Masa urgjente merret nga trupa inspektuese gjatë inspektimit, me vendim të ndërmjetëm kur, për shkak të shkeljes së konstatuar të kërkesave ligjore mund të shkaktohet një dëm i menjëhershëm, i rëndë dhe i pariparueshëm i interesit publik apo i palëve të treta, veçanërisht kur është e nevojshme për të shmangur një rrezik të menjëhershëm për jetën apo shëndetin e njerëzve, kafshëve a për mjedisin.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.