Shmangia e TVSH në BE – Moscovici propozon masa për të parandaluar mashtrimet
Komisioneri europian për çështjet ekonomike dhe financiare, Pierre Moscovici, ka propozuar masa të reja në trajtimin e shmangies tatimore për mallrat e tregtuara mes vendeve anëtare, që vlerësohet se i kushtojnë Bashkimit Europian mbi 50 miliardë euro në të ardhura të humbura çdo vit.
Nën propozimin e ri, autoritetet tatimore në shtetet e Bashkimit Europian do të fuqizojnë bashkëpunimin dhe këmbimin e informacionit ndaj shitjeve përtej kufijve, për të trajtuar mashtrimet në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar. Tregtia e Korporatave mes vendeve të BE është e përjashtuar nga taksa, me detyrimin që paguhet vetëm nga kompania që shet mallin përfundimtar drejt konsumatorëve.
Kjo ka lejuar organizatat kriminale që të ndërmarrin operacione komplekse përtej kufijve, me kompani “fantazmë” që mbledhin TVSH e plotë nga një transaksion, e më pas duke u zhdukur përpara se të paguajnë shtetet, duke shkaktuar një hendek të madh në buxhetet publike. Nën propozimin, që pritet të mbështetet nga vendet anëtare dhe ligjbërësit, qeveritë kombëtare do të lejojnë gjithashtu autoritetet e jashtme tatimore që të kenë akses në databazat e regjistrimit të automjeteve, për të trajtuar shitjet e jashtëligjshme të makinave të reja përtej kufijve si makina të përdorura, që janë subjekt i një norme më të ulët të tatimit mbi vlerën e shtuar.
Komisioni ka propozuar gjithashtu rritjen e këmbimit të informacionit mes autoriteteve doganore në vendet anëtare, për të parandaluar përhapjen e gjerë të shmangies së TVSH për mallrat e importuara jashtë BE. Moscovici tha se Komisioni po konsideron përdorimin e masave të jashtëzakonshme për t’i hequr shteteve fuqinë e vetos mbi çështjet tatimore. Neni 116 i traktatit të Bashkimit Europian lejon Komisionin që të detyrojë vendime me mazhorancën e 28 vendeve anëtare mbi çështjet tatimore në raste të shtrembërimit të konkurrencës në treg.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.