Shopping mania, “skllevërit” e modës!
Në eksperiencën emocionale të shopping-ut, individët dallohen nga niveli i ndryshëm i impulsit për të blerë, si një burim kënaqësie dhe relaksimi. Ndodh që të fiksohemi aq shumë për veshjet e fundit firmë, sa futemi edhe në kredi. Jo vetëm vajzat adoleshente, por dhe shumë të rritur kalojnë orë të gjata duke menduar për veshjen dhe pamjen e jashtme. A vlen kaq shumë viktimizimi ndaj modës? Cilat janë influencat që ndikojnë në sjellje të tilla dhe simptomat që duhet të njohim? Për më tepër, të dimë të ndjekim modën edhe duke shpenzuar pak. Ndjekësit e modës po shtohen aq shumë në shoqërinë tone, sa shumë prej tyre mund të quhen pa frikë edhe skllevërit e saj.
Simptomat janë të menjëhershme, super të dukshme. Të menduarit gjithë kohës vetëm për veshjet e fundit, të kursyerit e parave për të blerë gjithçka që syri pëlqen, e gjithçka që bëhet menjëherë për t’u blerë; të folurit pjesën më të madhe të kohës për veshje të cilat duhet të jenë patjetër firmë, ndryshe nuk do të ishe e veshur bukur, madje shpesh do të komentoheshe edhe me shprehje të tilla si “nuk di të vishesh”. Pjesën më dominante të kësaj kategorie e zënë adoleshentët, e sidomos vajzat e reja, e megjithatë, në këtë lloj tendence të re nuk ka një prerje simetrike. Kur bëhet fjalë për veshjet e reja firmato dhe tendencat e reflektuara nga yjet e botës, modelet, këngëtaret apo aktoret e Hollivudit duket se nuk ka moshë për të mos i shpëtuar viktimizimit të modës.
Puna e një modeleje është të përcjellë një portret të perfeksionit, që për shikuesin do të ishte e pakapshme; e magjishme deri në fiksim. Përsëri duhet theksuar fakti se veshje të tilla aq të bukura mbeten në thelb artistike dhe nuk do të ishin aspak të përshtatshme për jetën tonë të përditshme. Nga ana tjetër, dëshira për ti imituar e për t’u dukur si modelet më perfekte vazhdon të insistojë brenda nesh.
A ia vlen të bëhemi skllevër të modës e të shpenzojmë orë të tëra duke menduar për pamjen e jashtme? Apo, siç edhe ndodh, të futemi në kredi për të blerë markat e fundit? Ka shumë mënyra për të ndjekur modën edhe duke mos qenë domosdoshmërisht skllav i saj, e pse jo duke shpenzuar më pak. Me pak vullnet të mirë dhe kreativitet mund të shmangim viktimizimin duke krijuar një stil personal dhe koherent. Padyshim që tashmë konsiderohesh një “skllave” e vogël e modes. Tashmë je më e rritur dhe fiksimi për të blerë veshjet më në modë sa vjen dhe rritet. Me kalimin e kohës, duket se ka një lloj natyraliteti për t’u kombinuar më shumë, e për ta bërë modën pjesën tënde më të preferuar.
Të pëlqen të blesh çdo prodhim të fundit të saj; çdo veshje që është stil dhe tendencë. Nëse nuk është firmë as nuk tenton t’ia hedhësh sytë. Kërkon që të jesh perfekte dhe, për më tepër, këtë do ta realizosh me veshjen. Gjithmonë druhesh se mos veshjet e tua firmato, apo të shtrenjta, i ka dhe dikush tjetër dhe nëse kjo ndodh atëherë zhgënjehesh shumë. Ndodh gjithashtu që të pëlqen të vishesh si këngëtarja apo modelja jote e preferuar edhe pse ke një personalitet krejt tjetër nga ai ose ajo përsëri guxon të provosh.
Ndodh që të kesh në gardërobë, pesë palë xhinse të ndryshme, për raste të veçanta. Xhinset janë gjithçka që të pëlqen dhe gjithmonë, kur bëhet fjalë për to, mundohesh t’i ruash me kujdes. Nëse ia sheh dikujt tjetër, atëherë, gjëja e parë që bën, i flak tutje nga dollapi yt. Shumë shpejt ble një palë të tjera dhe brenda një jave, në gardërobën tënde bëhen shtatë palë xhinse. Çfarë po ndodh me ty? Jeni e varuar nga moda? Nëse kjo ndodh, atëherë padiskutim që edhe ju keni krijuar varësinë e modës. Gjen gjithmonë justifikime për të mos veshur të njëjtën veshje. Pretendon sikur ke harruar okazionin për t’u veshur ndryshe, edhe atëherë kur mund të jetë një rast funerali. Çmendesh vetëm për disa marka, ato më të shtrenjtat të cilat i ble gjithmonë. Ndodh të mos darkish, apo të shkosh në vende me miqtë, vetëm për të kursyer lekë.
Kështu mund të blesh fustanin tënd të preferuar, të sapo dizajnuar. Nuk mund të lësh pa parë një shoë mode, edhe nëse të duhet të shkosh në dasmën e shoqes. Kalon kohën tënde të lire, vetëm duke bërë shopping, aq sa harron edhe të drekosh. Teksa të duhet të merresh me diçka serioze, apo çështje pune, herë pas here shikon për produkte online. A jeni e fiksuar pas blerjeve? Fraza “nuk mund ta ble”, do të thotë që do të bëje gjithçka për ta pasur. Ndonjëherë, teksa jeni duke shfletuar faqet e ndonjë reviste, ndodh që shumë prej nesh të na pëlqejë ti veshim veshjet e dizajnuara. Nëse do të kishim mundësinë të blinim në butikët e fundit të modes, atëherë kjo do të ishte një ëndërr për ne, por kjo do të thotë, të bësh një rrugë të gjatë përpara se të shkosh atje. Fatmirësisht, moda nuk ka të bëjë me diçka që mund ta kesh, por me një sjellje që ti reflekton. Modë do të thotë kreativitet, energji dhe rruga për të krijuar një “look” që shpreh bukuri unike.
Modë pa hyrë në borxhe
Përpara se të dilni dhe të bëni xhiron e shumë dyqaneve, për të blerë fustanin më seksi, sigurohuni nëse keni veshjet më të nevojshme. Janë ato rroba të përditshme, shumë thelbësore të cilat na nevojiten çdo ditë; veshjet e thjeshta, të zakonshme, pa të cilat nuk do të bënim dot edhe po të kishim veshjet klasike të mbrëmjeve elegante. Çfarë vlere do të kishte një fustan që shkëlqen nëse do të na mungonin gjërat më të thjeshta dhe të përdorshme çdo ditë? Veshjet e përditshme ndryshojnë dhe varen nga stili ynë, por, si fillim është e rëndësishme të keni disa veshje të mira e cilësore, e që mund të kombinohen lehtë edhe me aksesorë të tjerë.
Një palë xhinse, thuajse perfekte, edhe pak të shtrenjta do të sugjeroheshin për të pasur një stil të suksesshëm. Këmisha pambuku, funde të thjeshtë por me ngjyra, dhe fustanet e nevojshëm të zinj janë të duhurat për t’i pasur në gardërobë. Këto janë veshjet e para që duhet të keni para se të filloni të kërkoni për gjëra “chic”. Nëse fiksoheni pas një palë këpucëve mahnitëse, në një nga butikët tuaj të preferuar, mos paguani vlerën maksimale që ai ka. Prisni derisa të vijë koha e uljeve dhe kështu mund ti blini ato, më të lirë. Këpucët e dimrit apo të vjeshtës, zakonisht kanë sezonin e tyre të uljes gjatë verës apo pranverës, ndaj mjafton të jeni më të duruar për të blerë produktin që ju çmend.
Migena Bushati/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.