Shoqëritë e kursim-kreditit – Sektori rritet me 12% për gjashtë muaj
Shërbimet financiare të kursim-kreditit janë rritur me ritme të larta në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shoqëritë e kursim kreditit, në fund të muajit qershor zotëronin një total aktivesh në shumën e 7.6 miliardë lekëve, në rritje me afro 12% që nga fillimi i vitit.
Në pjesën më të madhe, asetet e këtij sektori konsistojnë në hua të dhëna për anëtarët e shoqërive të kursim-kreditit. Portofoli i total i huasë në mesin e këtij viti arriti në 6 miliardë lekë apo rreth 45 milionë euro.
Ndërkohë, rritje të konsiderueshme kanë regjistruar depozitat, që tashmë kanë arritur vlerën e 5.35 miliardë lekëve. Në një vit depozitat janë rritur me 28%, edhe falë përfshirjes së këtyre institucioneve në skemën e sigurimit të depozitave, për shuma deri në 2 milionë lekë. Kjo tregon se SHKK-të janë më pak të varura nga linjat e jashtme të financimit për aktivitetin e tyre.
Rritja e depozitave dhe zgjerimi i aktivitetit të këtij sektori është nxitur ndjeshëm nga përfshirja e shoqërive në skemën e sigurimit të depozitave, që u bë efektive në fillim të këtij viti.
Ndonëse me një peshë shumë modeste në sistemin financiar, aktiviteti i shoqërive të kursim-kreditit është i përqendruar në zonat rurale të vendit dhe është i orientuar kryesisht te bujqësia. Vlerësohet se numri i individëve të anëtarësuar në shoqëritë e kursim kreditit është më shumë se 40 mijë, të shpërndarë në mbi 1100 fshatra në të gjithë vendin.
Shoqëritë e kursim-kreditit kanë rezultuar si formula më e suksesshme për të çuar shërbimet financiare në zonat rurale dhe periferike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.