Shpallen fituesit për unazën e madhe – Vlera e investimit do jetë 12.2 mld lekë për 6 lote, 1 nga tenderët anulohet
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompanitë fituese që do të ndërtojnë pjesën e mbetur të Unazës së Madhe në Tiranë. Procedura është mbyllur për 6 lote, ndërkohë që tenderi për lotin 1 që përfshin plotësim-rakordimin dhe vazhdimi e punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, është anuluar pasi në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme. Referuar ofertave të dorëzuara nga kompanitë fituese, në total 6 lotet e unazës do të kushtojnë rreth 12.2 mld lekë, apo 1 mld më pak se fondi limit i vendosur në dispozicion që ishte 13.25 mld lekë.
Procedura e prokurimit publik për 7 lotet e mbetur të Unazës së Madhe u bë në mesin e muajit gusht, duke iu lënë investitorëve 1 muaj kohë për paraqitjen e ofertave. Ndërkohë, referuar dokumenteve të tenderit, punimet për realizimin e veprës do të duhet të zgjatin 2 vjet nga moment i nënshkrimit të kontratës. 3 prej tenderëve përfshijnë ndërtimin e segmentit nga sheshi Shqiponja te Bulevardi i Ri dhe urat mbi lumë, me një gjatësi prej rreth 3 km. Ndërkaq, 4 lotet e tjerë përfshijnë ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës.
Ky segment fillon pas lotit 3, në afërsi të Shkozës, që aktualisht është duke u ndërtuar , duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit e më pas Unaza hyn në zonën e Kinostudios. Më pas segmenti vazhdon drejt veriut, zbret drejt lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz. Ndërtimi i këtyre segmenteve do të bëjë edhe bashkimin e të Unazës, teksa duket se do të jetë një ndër investimet publike më të mëdha përgjatë 2 viteve të ardhshëm.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.