Shpallet gjendja e jashtëzakonshme! Krijohet Komiteti për Rindërtimin; i besohet Arben Ahmetajt. Detajet e planit emergjent
Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në zonën e Tiranës dhe Durrësit, të goditur nga tërmetet me pasoja tragjike. Në një mbledhje qeverisë në orët e para të mëngjesit, kryeministri njoftoi vendimin dhe bëri të ditur bilancin tragjik të deritanishëm.
“Ka një bilanc tragjik me deri tani 24 viktima, 657 të lënduar dhe fatmirësisht deri tani 45 jetë të shpëtuara. Është një bilanc sipas të gjitha gjasave nuk do të mbetet me kaq” tha kryeministri.
Kreu i qeverisë kërkoi solidarizim në mbështetjen e familjeve të dëmtuara nga tërmeti ndërsa tha se prioritet i prioriteteve mbetet shpëtimi i jetëve njerëzore. Për të ndihmuar të dëmtuarit, veç spitaleve publike janë vënë në dispozicion edhe spitalet private. Po ashtu, për akomodimin e pastrehëve është arritur një marrëveshje me strukturat hoteliere.
“Mbrëmë kemi pasur në dispozicion një infrastrukturë sistemimi të shpejtë për 1450 banorë në zonën e qytetit të Durrësit dhe për 700 banorë në zonën e Thumanës” tha kryeministri ndësra evidentoi se ka pasur solidaritet njerëzor të madh për strehimin e të prekurve.
Por kryeministri tha se akomodimi nëpër hotele për momentin është me mbështetjen e pronarëve të hoteleve por po arrihet një marrëveshje që shpenzimet të jenë të mbuluara nga qeveria.
“Nuk mund ta mendojmë e as ta provojmë që sipërmarrësve të hotelerisë t’u kërkojmë që me shpenzimet e tyre individuale të mbajnë të gjithë infrastrukturën hoteliere me muaj të tërë në dispozicion pa pasur asnjë mbështetje financiare. Nga ana tjetër nuk mund të pranojmë që familjet, të moshuarit, fëmijët, gratë të kalojnë dimrin në tenda.
Është e pakonceptueshme. Apo t’ua lëmë si barrë familjeve të tjera që në momentin e parë të shprehjes së solidaritetit mund ta bëjnë këtë gjë po nuk mund të kalojnë një periudhë relativisht e gjatë. Kjo është barra jonë dhe kemi filluar që dje me ministrin e Turizmit për të punuar për një marrëveshje me struktura akomoduese të Durrësit e Kavajës për të akomoduar familjet pa çati” tha kryeministri.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se nuk do të tolerohen familjet që kërkojnë të qendrojnë në banesat e tyre të dëmtuara.
“Këtë herë nuk do të tolerojmë asnjë familje që do të kërkojë të qendrojë në infrastruktura të rrezikshme. Dhe teoria që unë nuk lë shpinë, nuk dal, nuk do të funksionojë” vijoi kryeministri.
Në vijim të fjalës së tij, kryeministri tha se do të rindërtohen të gjitha banesat e prishura në Tiranë e Durrës. Financimi do të mbështetet nga buxheti i shtetit, por nuk do të ketë kufizime edhe për huamarrje nga jashtë. Komiteti do të ketë kompetencat e një ministrie të posaçme dhe do të drejtohet nga Arben Ahmetaj, aktualisht kryetar I Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe ish ministër i Financave.
“Duhet që familjeve në Thumanë t’iu rindërtojmë banesat. Një sfidë e madhe, do të bazohemi tek buxheti i qeverisë, te buxheti i bashkive sikundër imponon ligji për gjendjen e jashtëzakonshme por nuk mjafton. Dhe për këtë po punojmë për një skemë financimi që të na mundësojë një mbulim terësor. Pa u kufizuar apo pa u mbuluar thjeshtë me anën tjetër që është mekanizmi i financimit të jashtëm.
Na duhet një komitet kombëtar për rindërtimin, edhe si afekt i situatës së gjendjes së jashtëzakonshme por edhe si nevojë. Një komitet kombëtar për rindërtimin që mendoj se duhet t’ia besojmë drejtimin kryetarit aktual të komisionit të financave dhe ekonomisë për të pasur një individ që ka të gjithë eksperiencën por nuk ka dhe gjithë ngarkesën e përditshme të një anëtari të kabinetit qeveritar për të pasur një ndërveprim shumë më aktiv dhe shumë më harmonik mes kabinetit” tha kryeministri.
Mbledhje e Jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave
Posted by Edi Rama on Tuesday, November 26, 2019
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.