Shpallet tenderi: 22 milion lekë për muzeun historik në Koman – Detajet
Agjencia e prokurimeve Publike ka njoftuar shpalljen e tenderit nga KESH për “Projektimi i shërbimit të transportit ujor HEC VAU I DEJËS – HEC KOMAN dhe krijimi i Muzeut Historik për Zhvillimin turistik të zonës pranë HEC KOMAN”.
Sipas detajeve të tenderit, aktualisht të gjitha pajisjet elektro-teknologjike po zëvendësohen me pajisje nga më modernet dhe kjo ka bërë që dalëngadalë të ndikuar nga modernizimi, të humbasim edhe pajisjet e dikurshme teknologjike të hidrocentraleve.
“Ndonëse kemi humbur shumë prej tyre, kemi ende shumë prej tyre të ruajtura nëpër magazina. Për KESH sh.a. ruajtja e tyre konsiderohet si ruajtje e memories historike të aseteve hidroenergjitike. Për këtë arsye dhe në zbatim të programin ekonomik të KESH sh.a., kërkohet të realizohet projekti i zbatimit për kryerjen e punimeve në objektin Projektimi i shërbimit të transportit ujor Vau i Dejës – Koman dhe krijimi i muzeut historik për zhvillimi turistik të zonës pranë HEC Koman. Gjithashtu prej vitesh kjo hapësirë gjeografike ku shtrihet HEC Vau Dejës dhe Koman, është shumë e aksesueshme nga një publik i gjerë që i kalon edhe 2000 persona në ditë. Tashmë hapësira është atraksion turistik”, shkruhet në njoftim.
Siç shpjegohet në dokumentacionin e bashkangjitur turizmi dhe përfitimi ekonomik që ky sektor sjell, shihet si shumë me interes dhe përshtatja e infrastrukturës duke krijuar akses të plotë dhe lëvizje të sigurtë si për punonjësit ashtu dhe për vizitorët e shumtë dhe kjo kërkon hartimin e një studimi dhe projekti zbatimi efiçient dhe atraktiv për zonën, i cili do të mundësojë parashikimin e investimeve që do të duhet të kryhen.
Në qëllimin që KESH sh.a. ka për memorizimin e historisë së hidrocentraleve shqiptare, duke e ruajtur dhe ekspozuar atë në një muze, kërkon që projektuesit, në konsultim me KESH sh.a., të ideojnë dhe hartojnë projektin e ndërtimit të një muzeu, së bashku me ndërhyrjet e tjera të parashikuara në këtë detyrë projektimi, brenda hapësirës së specifikuar. Fondi limit i vendosur në dispozicion është 22,592,319.00 lekë dhe afati i fundit për aplikantët e interesuar është data 20 tetor 2020 ora 10:00. Më poshtë janë objektivat e projektit të KESH-sha:
Objektivat e projektit
Objektivat kryesorë të projektit Projektimi i shërbimit të transportit ujor Vau i Dejës-Koman dhe krijimi i muzeut historik për zhvillimi turistik të zonës pranë HEC Koman janë:
- Ruajtja, interpretimi dhe rivitalizimi i vlerave kulturore dhe historike të prekshme dhe të paprekshme të strukturave të hidrocentraleve të vendosura përgjatë kaskadës së lumit Drin.
- Zhvillimi i rezervuarit të Vau i Dejës dhe Kaskadës së lumit Drin si një zonë rekreative dhe turistike në përputhje me vlerat e saj mjedisore dhe kulturore.
- Restaurimi (Sistemimi) i zonës dhe mbrojtja e peizazhit dhe bimësisë përgjatë bregut të liqenit të Rezervuarit të Vaut të Dejës aty ku shihet e nevojshme dhe brenda qëllimit të projektit.
- Zhvillimi i sistemit të lundrimit përgjatë rezervuarit Vau i Dejës dhe liqenit të Komanit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.