Shpallet tenderi/ Si do të transformohet Porti i Durrësit? Që nga profilizimi si port perëndimor qendror, e deri te 5 terminalet kryesore
Autoriteti Portual Durrës ka shpallur tenderin për hartimin e detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar, në Porto Romano, Durrës. Fondi i vënë në dispozicion të projektit të shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik është 1.1 miliardë lekë.
“Porti i Durrësit specializohet në funksion të transportit të pasagjerëve dhe zhvillimit turistik të integruar me mjedisin urban, ndërsa Porto Romano propozohet të përfitojë investime me qëllim shtimin e kapacitetit të tij dhe pasurimin me funksionet e transportit dhe përpunimit të mallrave, si dhe funksione mbështetëse për anijet dhe ngarkesat.
Propozohet të profilizohet si port perëndimor qendrore që lidh rrugët kombëtare të Korridorit VIII me perëndimin dhe korridorin Skandinavi-Mesdhe. Gjithashtu propozohet që Porto Romano të lidhet me infrastrukturën e përshtatshme rrugore dhe hekurudhore” specifikohet në detajet e tenderit.
Ndër të tjera, referuar planit të integruar ndërsektorial të bashkangjitur në Agjencinë e Prokurimit Publik, Porti i Durrësit duhet të mundësojë akses dhe stacionim për stacion udhëtarësh, për akostim anijesh udhëtimi me përmasa mesatare/ të vogla; stacion turistik, për akostimin e anijeve të mëdha turistike (‘kruiser’); zonë portuale shërbimi e përpunimi, për akostimin e kontejnerëve kargo; zonë portuale shërbimi, për akostimin e flotës së peshkimit; si dhe zonë portuale turistike, për akostim jahtesh.
“Plani propozon zhvillimin e terminaleve kryesore, si: terminali i mallrave të përgjithshme dhe i drithërave; terminali i materialeve të ndërtimit, si ai i çimentos e klinkerit; terminali i mineraleve dhe i qymyreve; terminali i mbetjeve, si skrapi” shkruhet më tej në dokumentacionin bashkëlidhur tenderit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.