Shpenzimet e luksit të politikanëve – Ambasada Suedeze: Te ne ministrat s’kanë makina, udhëtojnë me trena e autobusë
Ndërsa shpenzimet e kripura për udhëtime jashtë shtetit zënë prej ditësh titujt kryesorë të lajmeve në vend, Ambasada Suedeze në Tiranë ka publikuar një artikull ku nënvizohet se zyrtarët e lartë të këtij shteti janë tërësisht të zhveshur nga çdo lloj privilegji, ata nuk kanë të drejtën e makinave e shoferëve të paguara nga taksapaguesit, ashtu si dhe asnjë imunitet parlamentar përpara ligjit. Artikulli është shkruar nga Claudia Wallin, një gazetare braziliane e cila jeton në Suedi nga viti 2003.
Sipas artikullit, ministrat e parlamentarët suedezë udhëtojnë me autobusë e trena, ashtu siç bëjnë taksapaguesit që ata përfaqësojnë.
Ata nuk kanë të drejtë as të mbajnë sekretare private, ndërkohë që zyrat e deputetëve janë të përmasave 8 metra katrorë.
Në artikull citohet edhe një qytetar suedez, i quajtur Joakim Holm, i cili thotë se “jam unë që i mbaj politikanët me rrogë”, dhe “nuk shoh asnjë arsye për të cilën duhet t’u ofroj jetë luksoze”.
Politikanët suedezë që guxojnë t’i shpenzojnë paratë e taksapaguesve në udhëtime me taksi, përfundojnë në titujt e mediave. Edhe vetë Kreu i Parlamentit, përfiton vetëm një abone për mjetet e transportit publik. Vetëm kryeministri gëzon të drejtën të përdorë rregullisht një mjet shtetëror të ofruar nga forcat e rendit.
Gjithashtu, parlamentarët suedezë jetojnë në apartamente shumë të vegjël në kryeqytet, ku edhe lajnë e hekurosin vetë veshjet në lavanteritë publike.
Kjo mund të duket si pak gjë për persona kaq të rëndësishëm, por është më mirë nga ç’qe dikur. Deri në vitet 80’ të gjithë parlamentarët flinin në divanet-shtretër që kishin nëpër zyrat e tyre.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.