Shpenzimet për paga – Rritje e lartë në ndërtim dhe industrinë nxjerrëse
Bizneset rritën shpenzimet për fondin e pagave në tremujorin e dytë të vitit, duke dëshmuar vijimësinë e ecurisë pozitive të tregut të punës. Sipas Institutit të Statistikave, bizneset rritën fondin e pagave në shumicën e sektorëve ekonomikë.
Rritja e fondit të pagave përgjithësisht është më e lartë se rritja e numrit të të punësuarve, çka nënkupton një rritje të pagës mesatare në shumicën e degëve të ekonomisë.
Ecurinë më pozitive në kuptimin e rritjes së fondit të pagave e raportuan industria nxjerrëse dhe ndërtimi. Në ndërtim, indeksi i fondit të pagave u zgjerua me 12.2%, duke iu bashkangjitur treguesve të tjerë që dëshmojnë një ecuri pozitive të sektorit gjatë tremujorit të dytë të vitit.
Edhe falë rritjes së shpenzimeve publike para zgjedhjeve, ndërtimi regjistroi rritje të shitjeve, punësimit dhe pagave. Edhe industria nxjerrëse ndodhet në një fazë përtëritjeje, që po shoqëron nivelet më të larta të çmimeve të lëndëve të para. Indeksi i fondit të pagave në industrinë nxjerrëse u rrit me 12.1%.
Mesatarisht, fondi i pagave në sektorin e industrisë u rrit me 2.3%, pasi veç industrisë nxjerrëse edhe aktivitetet e energjisë dhe furnizimit me ujë regjistruan rritje të larta. E vetmja degë që dha efekt negativ ishte ajo që ka edhe peshën kryesore në punësim dhe në paga, industria përpunuese.
Indeksi i fondit të pagave u rrit me ritme të ngjashme edhe në shërbime, me 2% më shumë ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ecurinë më të mirë e shfaqën aktivitetet e lidhura me turizmin. Në hoteleri, fondi i pagave u rrit me 11.5%, ndërsa për agjencitë e udhëtimit rritja ishte 13.7%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.