Shpenzimet për shëndetin mendor – I dedikohen 3% e totalit të buxhetit të shëndetësisë
Buxheti si dhe financimet e dedikuara për shëndetin mendor kanë shkaktuar debate në Komisionin e Shëndetësisë dhe të Çështjeve Sociale. Sipas parashikimeve rreth 3% e totalit të buxhetit të shëndetësisë do të shkojnë për shëndetin mendor në një kohë kur mendohet se buxheti i shëndetësisë do të jetë në vlerën e 480 milionë dollarë.
Në vendin tonë nuk ka një regjistër kombëtar sa i përket shëndetit mendor. Sa i përket përpjekjeve që janë bërë nga institucionet për të ndryshuar realitetin ato mbeten minimaliste sipas opozitës.
Një tjetër problematik e sjellë në vëmendje nga zyra e Avokatit të Popullit ka të bëjë me mungesën e ofrimit të këtij shërbimi në burgje. Sipas një raporti të hartuar nga Avokati i Popullit nuk ka një qendër të posaçme për trajtimin e personave që kanë çrregullime të shëndetit mendor dhe kanë një vendim nga gjykata. Ndërkohë që në burgje mungojnë ambientet dhe pajisjet e nevojshme për të kryer manipulimet mjekësore.
Sipas planit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të mundësohen financime të ndryshme si rikonstruksione dhe pajisja me teknologji për pesë qendrat mbështetëse në vend për shëndetin mendor.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.