Shpërdorimi i fondeve të BE – Agjencia Austriake vendos klauzolë kundër korrupsionit në Projektin e Ujit
Programet e Bashkimit Europian apo donatorëve të ndryshëm në Shqipëri janë bërë shpesh objekt abuzimi. Duket se është ky edhe një prej shkaqeve që në marrëveshjen e radhës lidhur me Qeverinë Shqiptare, Agjencisë Austriake e Zhvillimit ka përshirë në kontratë një klauzolë për mbrojtjen e kontratës nga rreziku i korrupsionit.
Që në krye të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit, për projektin “Mbështetja e Bashkimit Evropian për menaxhimin e integruar të ujit në Shqipëri” me fond 3.1 milionë euro bie në sy një nen i veçantë për këtë qëllim. Neni 8 i kontratës i kushtohet Klauzolave Kundër Korrupsionit.
“Asnjë ofertë, dhuratë ose pagesë, shpërblim ose përfitim i asnjë lloji që përbën një praktikë të paligjshme ose korruptive nuk i bëhet askujt, drejtpërdrejt apo jo, si një nxitje ose shpërblim për dhënien ose ekzekutimin e kësaj marrëveshjeje”, theksohet në nenin 8. Çdo praktikë e tillë do të jetë shkak për përfundimin e kësaj Marrëveshjeje, ose për të marrë ndonjë veprim tjetër korrigjues që kërkohet.
“Palët njoftojnë menjëherë njëra tjetrën për çdo tregues të korrupsionit ose keqpërdorimit të burimeve lidhur me projektin dhe marrin përsipër të ndërmarrin veprime të menjëhershme ligjore për të filluar hetim dhe ndjekje penale , në pajtim me ligjin e zbatueshëm ndaj çdo personi të dyshuar për korrupsion apo keqpërdorim të Burimeve në lidhje me projektin”, përcaktohet në klauzolë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.