Shpërndante midhje pa kushte frigoriferike, bllokohet furgoni – AKU kontrolle edhe në marketet e fshatrave
Vijon aksioni i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në të gjithë vendin, për të ndaluar tregtimin e ushqimeve të skaduara apo edhe jashtë standardeve higjieno-sanitare.
Konkretisht, DRAKU Gjirokastër dhe Berat kanë zgjeruar më tej kontrollin e të gjitha supermarketeve dhe dyqaneve që tregtojnë produkte ushqimore të skaduara në zonat rurale të këtyre qarqeve.
Trupa inspektuese kanë evidentuar në fshatin Memaliaj të Përmetit një subjekt me aktivitet “ minimarket” e cili u kap në flagrancë duke tregtuar produkte të skaduara si: birra, reçel, kos, salcë kosi etj. Ndërsa në fshatin Duhanas të Beratit u konstatuan produktet: sallam, mish pule, salcice, etj me afat skadence të përfunduar. Ndaj dy subjekteve është marrë masë administrative me gjobë.
Ndërkohë, AKU vazhdon aksionin edhe të kontrollit në furgona që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë vendin. Trupa inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndaluar një furgon i cili shpërndante 100 kg midhje pa kushte frigoriferike dhe pa asnjë dokumentacion shoqërues. Ndaj shtetasit Kristo Veizi u mor masë administrative gjobë si dhe asgjësim i menjëhershëm i produktit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se këto kontrolle do të vazhdojnë të jenë intensive për të mos lejuar askënd të cenojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve në vendin tonë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.