Shpërndarja e barabartë e vaksinës. BB kërkon miratim për fondin prej 12 mld USD për vaksinën e Covid-19
Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, tha se po kërkon miratim të bordit për planin e financimit të vaksinës së Covid-19 prej 12 miliardë dollarë, që synon të ndihmojë vendet e varfëra që të sigurojnë dozat kur të jenë të disponueshme. Malpass tha për Reuters se iniciativa, që është pjesë e ndihmës së koronavirusit prej 160 miliardë dollarë të premtuar nga Banka Botërore, synon të ndihmojë vendet me blerjen dhe shpërndarjen e hershme të vaksinave si dhe të zgjerojë prodhimin botëror.
Gara botërore për një vaksinë të koronavirusit ka marrë vrull, ndërkohë që vendet e pasura kanë siguruar doza nga të gjithë kompanitë që ndodhen në fazat përfundimtare. Qeveria e Shteteve të Bashkaura ka premtuar mbi 3 miliardë dollarë për të siguruar qindra milionë doza të vaksinave që po zhvillohen nga britanikja, AstraZeneca, gjiganti amerikan Pfizer dhe gjermania BioNTech. Malpass tha se plani i Bankës Botërore synon të vendosë vendet e varfëra në të njëjtin nivel me ato të pasura, duke siguruar se kanë financim për një sistem të shpërndarjes. Presidenti i institucionit tha se po i kërkon gjithashtu vendeve të pasura që kanë mbi-rezervuar dozat e vaksinave, që t’i lëshojnë tepricat për vendet e varfëra.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.