Shpërndarja e librezës shëndetësore – Reduktohen kostot financiare nga 500 lekë në 100 lekë
“Mbi 100 mijë libreza shëndetësore në të gjithë vendin tanimë do të shpërndahen tek mjeku i familjes, duke shmangur kështu sorollatjet e qytetarëve pranë drejtorive të Higjienës. Ndërkohë që për këtë librezë do të ketë edhe reduktim të kostos financiare. Libreza do të kushtojë 100 lekë nga 500 që kushtonte më parë.”
Përveç kartelës shëndetësore dhe ecurisë shëndetësore të një pacienti, mjeku i familjes do të shpërndajë edhe librezën shëndetësore për pacientët e tij. Ky është vendimi më i fundit i ndërmarrë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, që përcakton edhe uljen e tarifës së librezës. Sipas mjekes së familjes, Mimoza Tota, kjo nisëm i vjen shumë në ndihmë pacientit.
Kjo librezë shëndetësore u kërkohet qytetarëve nga punëdhënësi si dhe kërkohet për fëmijët që regjistrohen në çerdhe, kopshte apo shkolla. Marrja e saj pranë mjekut të familjes, sipas qytetarëve, është shpëtim nga radhët e gjata.
Sipas Totës vetëm në 4 -5 ditë që ka nisur shpërndarja e librezës nga mjeku i familjes, pranë qendrës shëndetësore ku ajo punon janë shpërndarë mbi 20 libreza.
Personat që duhej të pajiseshin me librezë shëndetësore kryenin tre ekzaminime si koprokultura, vizita te mjeku dermatolog dhe grafi pulmoni për të përjashtuar sëmundjet infektive. Tani do të jetë mjeku i familjes ai që do të gjykojë ecurinë shëndetësore të pacientit të tij dhe më pas merr vendimin nëse duhet dërguar për ekzaminime plotësuese në momentin e paraqitjes.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.